Presidenti Donald Trump tha se më 4 mars do të vendosë tarifa prej 25% për mallrat e importuara nga Kanadaja dhe Meksika, siç planifikoi fillimisht. Ai deklaroi se dy vendet fqinje nuk po bëjnë ende sa duhet për të frenuar fluksin e drogës që hyn në Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, paralajmëroi në “Truth Social” se po të martën do t’i vendosë Kinës një tarifë shtesë prej 10%, krahas 10%-it që i vuri Pekinit në fillim të muajit. Kina iu kundërpërgj masës së parë amerikane, duke u vendosur produkteve të njëjtën tarifë prej 10%.
Droga vazhdon të hyjë në vendin tonë nga Meksika dhe Kanadaja në nivele shumë të larta dhe të papranueshme. Një përqindje e madhe e saj është në formën e fentanilit dhe prodhohet e furnizohet nga Kina.
Në fillim të këtij muaji, Trump njoftoi se do të vendoste tarifa ndaj Kanadasë dhe Meksikës, dy nga aleatët dhe partnerët tregtarë më të ngushtë të vendit. Por e pezulloi vendimin për një muaj, deri më 4 mars, pasi presidentja meksikane Claudia Sheinbaum tha se do të dërgonte 10,000 trupa në kufirin me SHBA-të për të ndihmuar në kontrollin e trafikut të drogës. Po kështu, kryeministri kanadez, Justin Trudeau informoi se do të emëronte një zyrtar që do të trajtonte çështjen fentanilit.
Meksika eksporton 80% të produkteve të saj në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të kësaj jave, Sheinbaum deklaroi:
Presim të arrijmë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, por nëse nuk arrihet, Meksika mund të vendosë si kundërpërgjigje tarifa ndaj produkteve amerikane.
Kur Trump njoftoi për herë të parë tarifën për importet kanadeze, Trudeau tha se ishte “krejtësisht e pajustifikuar” dhe premtoi tarifë 25% si kundërpërgjigje, duke filluar nga 12 marsi për produktet e çelikut dhe aluminit amerikan. Kanadaja është eksportuesja kryesore e të dy metaleve në SHBA.
Ekonomistët thonë se tarifat që presidenti amerikan po vendos ka të ngjarë të rrisin çmimet e shitjes me pakicë për konsumatorët dhe koston e materialeve për bizneset. Meksika, Kanadaja dhe Kina, sipas kësaj renditjeje, janë tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara, por Bashkimi Europian prej 27 vendesh është partneri më madh.
Në mbledhjen e parë të kabinetit të ri, të mërkurën, Trump u shpreh se “shumë shpejt” do të shpallte një tarifë prej 25% për mallrat e importuara nga BE-ja. Unioni u zotua t’i përgjigjet “në mënyrë të vendosur e menjëherë” pengesave të pajustifikuara” tregtare dhe sugjeroi se do të vendoste tarifat e veta ndaj importeve amerikane nëse presidenti Trump vazhdon me planet e tij.
Në “Truth Social”, shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se tarifat reciproke ndaj atyre vendeve që do t’u vendosin tarifa mallrave amerikane do të hynin në fuqi më 2 prill. Ai la të kuptohet edhe për vendosjen e tarifave ndaj importeve në automjete, lëndë drusore, produkte farmaceutike e mallra të tjera.
Shumë ekonomistë kanë paralajmëruar vazhdimisht se tarifat mund të çojnë në çmime më të larta, duke nxitur rritjen e inflacionit në SHBA. Presidenti Trump ka pranuar se një gjë e tillë mund të shkaktojë dhimbje afatshkurtër për amerikanët, por ka shtuar se tarifat do të ishin përfundimisht të dobishme për ekonominë më të madhe në botë.
Trump thotë se tarifat do të ishin një nxitje për kompanitë e huaja që të prodhonin më shumë në Shtetet e Bashkuara si një mënyrë për t’i shmangur ato.