Aktualitet Politikë

“Dorëheqje e Ramës”, Berisha njofton protestën e radhës: Shqipëria në Tiranë, më 17 prill!

Komunikimin e sotëm në rrjetet sociale, kryetari demokrat, Sali Berisha e nisi duke sjellë në vëmendje jehonën që sipas tij iu bë protestës më të fundit të opozitës, më 22 mars në Tiranë, si dhe kërkoi “vazhdim të betejës me optimizëm”. Berisha vuri në dukje se kryengritjet e tyre i faktuan botës se nuk dorëzohen. “T’i shkurtojmë jetën këtij regjimi të kapur”, u shpreh kreu i opozitës.

Java që shkoi pati si kryelajm shqiptar dhe një nga kryelajmet botërore, kryengritjen tonë paqësore të 22 marsit, me të cilën shqiptarët i faktuan kombit dhe botës se ata nuk pajtohen kurrë me vendimet për mbrojtjen e vjedhjeve dhe të korrupsionit të enturazhit të Edi Ramës.

Se ata nuk pajtohen kurrë me asgjësimin e sistemit të drejtësisë apo vendosjen e tij në kontroll total e të plotë nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama. Protesta pati një jehonë të jashtëzakonshme, të menjëhershme ndërplanetare.

I kam falënderuar dhe i falenderoj të gjithë ata që u bënë zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve, zëri i ndërgjegjes së njerëzve të lirë në mbarë botën, të cilët nuk mposhten, nuk nënshtrohen nga një organizatë kriminale me në krye Edi Ramën.

Duke iu drejtuar kryeministrit me fjalët: “Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë”, kryetari demokrat njoftoi datën e protestës së radhës në kryeqytet:

Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës. Mos mendo se do të gjesh paqe, kurrë! Nuk do të ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde të Ballukëve kriminelë e kartelet e drogës në Shqipëri. Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj.

Berisha foli edhe për rritjen e çmimit të naftës, duke iu referuar si “faktor ndëshkues për mijëra familje”. Ndërkaq, pensioneve në vendin tonë iu referua si “tallje e cinizëm”.