Politikë

Berisha: Protesta në nivele të tjera. Beteja jonë do përfshijë të gjithë Shqipërinë, e pandërprerë deri në largimin e Ramës!

Kreu i PD Sali Berisha në daljen e tij për mediat, foli për protestën e mbajtur një natë më parë në Tiranë.

Berisha theksoi se shqiptarët treguan se janë të pamposhtur nga narkodiktatura e Ramës. Gjithashtu nënvizoi se protesta ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.

“22 mars dita e parë e demokracisë me demonstratën e fuqishme, shqiptarët dje treguan se janë të pamposhtur nga kjo narko-diktaturë. Kurrë ndonjëherë kryengritja nuk ka qenë më e fuqishme se dje në rrugët e Tiranës. Beteja jonë do njohë vetëm ngjitje dhe do të përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do e jetë e pandërprerë deri në largimin e kësaj organizate me në krye Edi Ramën”, tha mes të tjerash Berisha.

I pyetur për deklaratën e ambasadës gjermane e cila dënoi aktet e dhunës, Berisha u shpreh: “Dhunën më të egër ndaj njerëzve e ka përdorur polici që ka gjuajtur me plumba gome në ballë. Dje Denis Gremi ishte viktimë e një goditje të rëndë në kokë. Unë nuk them se nuk ka pasur elementë tek tuk, por nuk ka pasur policë të plagosur. Kishin çuar disa policë i kishin shtrirë… Unë u bëra gati të nisesha t’u tregoja shqiptarëve që nuk ka të plagosur”.

Gjatë fjalës së tij Berisha u pyet lidhur me protestën dhe përplasjen që ndodhën gjatë tubimit.

Kreu i PD theksoi se dhuna e vërtetë është ajo e ‘mosarrestimit të Linda Bashës dhe Egys Agasit’.

“Bllokimi i drejtësisë për arrestimin e Lubi Ballukut për shkak të Edi Ramës. Për ne dhunë e tmerrshme është mos arrestimi i Linda Bashës e implikuar në aferën e AKSHI-t. Lëvizja e lirë e Ergys Agasit dhe vizitat e tij në Surrel”, tha ai.

Kreu i PD Sali Berisha u pyet lidhur me lëvizjen e Ervin Salianjit.  Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se, ‘e birësuan dhe ta gëzojnë’, ndërsa ritheksoi edhe njëherë se është i vetëpërjashtuar.

“I vetë-përjashtuari është i vetë-përjashtuar nuk ndryshon asgjë. Por birësimet kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjitha kohërat. E birësuar, iku mori fund…Po të mos birësohej do të ishte. Ai zgjodhi vetë-birësimin, iku mori fund. Të lutem tani se nuk kam kohë të merrem me atë problem”, tha Berisha.