GJKKO ka shtyrë seancën për dosjen “Partizani” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe të akuzuarit e tjerë për në datën 19 maj, ora 11:30, vetëm 8 ditë pas zgjedhjeve parlamentare.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv të klubit Partizani, një çështje që ka qenë në qendër të hetimeve për dyshimet për korrupsion dhe shkelje të ligjit nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha. Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit.
LEXO EDHE: Sali Berisha paraqitet në SPAK, sulmon Altin Dumanin!
Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe njëherazi kreut të PD, Genc Gjokutaj ka folur për mediat pasi GJKKO vendosi të shtyjë sërish seancën për të vendosur mbi kalimin në gjyq ose jo të rastit “Partizani”.
Ai u shpreh se Berisha ishte gjobitur me 10 mijë lekë të reja pas rrëzimit të kërkesës së avokatëve të tij për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi, edhe pse nuk kishte firmosur vetë kërkesën.
Gjokutaj nuk ngurroi t’i referohej Davidhit si “Irena 2”, duke e krahasuar atë me gjyqtaren tjetër Irena Gjoka.
“Sot ishte seanca ku ne vijmë nga një rrëzim kërkese për përjashtimi ne gjyqtares Flojera Davidhi. Kërkesa u bë nga ne avokatët dhe është gjobitur zoti Sali Berisha me 10 mijë lekë të reja, ndërsa ai nuk ka firmosur fare”, tha Gjokutaj.
Davidhi nuk pranoi kërkesën e mbrojtjes për revokimin e vendimit për pavlefshmëri të provave të marra nga Irena Gjoka. Avokatët e Berishës kanë dorëzuar edhe një dokument ku pretendojnë se Gjoka, gjyqtarja e hetimit paraprak, rezulton e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh, por s’e ka deklaruar. Strategjia e shtyrjes ishte e qartë që në mëngjes, kur Berisha u paraqit në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, ku publikoi një dokument sipas të cilit Irena Gjoka ka qenë e dënuar në vitin 2005.