Vendimi për dosjen “Partizani” në GJKKO është shtyrë për ditën e nesërme. Raportohet se vendimi do të jepet në orën 13:00.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj në deklaratën e tij për mediat u shpreh se pala mbrojtëse ka kërkuar kohë për konsultim ndaj vendimmarrjes dhe sipas tij vendimi i ndërmjetëm i GJKKO është i paligjshëm.
GJKKO nuk vendosi përfundimisht për ta kaluar ose jo dosjen për gjykim në themel, por vendosi të rrëzojë kërkesat e avokatëve me vendim të ndërmjetëm. Por avokatët kanë kërkuar kohë për t’u konsultuar me klientët e tyre, ndërsa nesër në 13:00 pritet të zhvillohet seanca e radhës.
Ky proces shtyhet prej 6 muajsh dhe ende nuk ka një vendim nëse dosja “Partizani” do të kalojë për gjykim, do të pushohet apo do të kthehet për hetime të mëtejshme në SPAK.
Berisha akuzohet për korrupsion në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, sepse sipas SPAK, pretendohet se ka favorizuar këtë të fundit në privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani. Hetimet për dosjen “Partizani” zgjatën 4 vite.