E ftuar në emisionin “Vitality Vibes” këtë javë me Ilvi Begollin ka qenë Dr. Alkerta Ibranji, alergologe-imunologe për të diskutuar më shumë në lidhje me alergjitë që tani me ndryshimin e stinës dhe me ardhjen e pranverës prekin shumicën e njerëze. Por si ta dallojmë ne alergjinë, cilat janë simptomat, si trajtohen ato dhe jo vetëm kaq, doktoresha ka shpjeguar gjithçka me detaje.
Zyrtarisht jemi në stinën e pranverës, e cila perceptohet edhe si stina e alergjisë. Ku e kuptojmë? Nëse shikoni në rrugë njerëz që tështijnë, kruajnë hundën, sytë dhe fytin, disa kanë edhe kollë. Të gjitha këto simptoma me patjetër që cënojnë cilësinë e jetës, këto simptoma janë shenja e parë e një stine pranverore alergjike që të nxin jetën për ndoshta 4-6 javë.
Cilat janë ato alergji të cilat shfaqen në këtë periudhë?
Alergjia është një problem kronik dhe një reagim i ekzagjeruar i sistemit imunitar ndaj një substance që për shumicën është e padëmshme. Duhet të jetë me patjetër një proteinë të cilën ne e marrim nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, kontaktit me lëkurën apo nëpërmjet ushqimit. Duhet të jetë një proteinë e cila nxit një reagim të ekzagjeuar të sistemit imunitar në varësi të shkaktarit alergjitë janë ose gjithë vjetore ose sezonale siç bëhet fjalë momentalisht për sezonin e pranverës.
Doktoresha shpjegoi gjithashtu se:
Alergjitë gjithë vjetore janë ato alergji me të cilat shkaktarin ne e kemi gjithmonë prezent dhe ky është edhe numri një i alergjive respiratore tek pacientët alergjik dhe ky është pluhuri i shtëpisë. Ndërsa në sezonin në të cilin jemi në pranverën e hershme, shkaktari janë poleni i pemëve të larta e cila pasohet në muajt mars, prill dhe pak në maj nga alergjia e polenit të barishteve të ulëta dhe vazhdon në korrik dhe në gusht me shkurret.
Pavarësisht se dikush mund të përjetojë alergji tani në pranverë shkaktari i alergjisë së tij është poleni i barishteve. Sezonaliteti kur vjen një pacient për të kërkuar ndihmë tek alergologu deri diku ne na orienton se kush mund të jetë shkaktari pasi edhe këta shkaktarë janë me sezone të caktuara në ajër. Përveç pluhurit të shtëpisë, i cili është armiku me të cilin ne flemë çdo ditë.