Meryl Streep ka vlerësuar publikisht kolegen e saj Anne Hathaway, duke e quajtur një “vajzë me integritet”, pasi kjo e fundit ndërhyri gjatë xhirimeve të vazhdimit të filmit “The Devil Wears Prada” për një çështje të ndjeshme në industrinë e modës.
Dy aktoret janë ribashkuar për filmin e ri, që pritet të dalë në kinema më 1 maj 2026, dhe po xhironin skena gjatë Milan Fashion Week kur lindi shqetësimi.
Streep tregoi se u habit nga pamja e disa modeleve në pasarelë, duke i cilësuar si “shumë të dobëta në mënyrë alarmante”.
Sipas saj, Hathaway reagoi menjëherë prapa skenave, duke iu drejtuar producentëve dhe duke kërkuar që modelet në film të mos përfaqësoheshin në mënyrë ekstreme.
Ndërhyrja e saj siguroi që përzgjedhja të ishte më e balancuar dhe më e shëndetshme.
Annie e vuri re menjëherë dhe veproi
-u shpreh Streep, duke e lavdëruar për qëndrimin e saj.
Aktorja legjendare zbuloi gjithashtu se xhirimet nuk kanë qenë të lehta, pasi janë ndërprerë shpesh nga turma fansash dhe paparacësh, të cilët krijuan kaos në set.
Sipas saj, interesimi i madh për filmin ishte i papritur, edhe pse origjinali mbetet një nga më të suksesshmit në historinë e modës në kinema.
Nga ana tjetër, Hathaway foli edhe për përvojën personale me kalimin e moshës, duke theksuar se në të 40-at ka gjetur një vetëbesim të ri dhe një qasje më të shëndetshme ndaj trupit dhe jetës.
Vazhdimi i filmit rikthen gjithashtu emra të njohur si Emily Blunt dhe Stanley Tucci, ndërsa premton të sjellë një tjetër histori plot dramë në botën e ashpër të modës.