Auto & Moto

Drejtori i Ford paralajmëron: Kina po na lë pas në garën për automjetet elektrike!

Në Festivalin Aspen Ideas, CEO i Ford Motor Company, Jim Farley, ngriti alarmin për të ardhmen e industrisë amerikane të automobilave, duke paralajmëruar se prodhuesit kinezë po e dominojnë tregun e automjeteve elektrike dhe mund të rrezikojnë seriozisht pozicionin e kompanive si Ford.

Nëse nuk arrijmë të ndjekim ritmin e prodhuesve kinezë, e ardhmja jonë është në rrezik

-deklaroi Farley.

Ai shtoi se kjo nuk është thjesht një çështje veturash elektrike, por një garë globale ku Kina po ecën shumë përpara.

Drejtori i Ford-it theksoi se ka vizituar Kinën gjashtë apo shtatë herë vetëm gjatë vitit të fundit, ku ka vëzhguar nga afër përparimin e jashtëzakonshëm të prodhuesve vendas.

Kina prodhon 70 për qind të të gjitha automjeteve elektrike në botë – dhe jo vetëm në sasi, por edhe me cilësi të lartë

Sipas Farley, kompanitë si Huawei dhe Xiaomi janë tashmë thellësisht të integruara në teknologjinë e brendshme të automjeteve kineze.

Kur hyn në një veturë kineze, nuk ke nevojë as të lidhësh telefonin – pajisja lidhet automatikisht dhe e gjithë përmbajtja shfaqet menjëherë në ekran

-tha ai, duke shtuar se përveç teknologjisë, këto makina ofrojnë edhe cilësi të lartë dhe çmime të konkurrueshme.

Me këtë mesazh, Farley kërkon që industria amerikane të veprojë me shpejtësi për të përballuar sfidën e Kinës dhe për të ruajtur pozitën në një treg që po ndryshon me ritme marramendëse.