Aktualitet

Dyfishohen të ardhurat nga administrimi i pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) dyfishon të ardhurat nga qiradhënia e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara për 3-mujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas të dhënave të bëra publike nga Agjencia, për 3 muajt e parë të vitit, të ardhurat kanë arritur në rreth 50 milionë lekë, krahasuar me 24.4 milionë lekë që ishin për vitin e kaluar.

Në këtë mënyrë, AAPSK vijon të ruajë ritmin e rritjes së të ardhurave nga mirëadministrimi, pasi e mbylli vitin 2024 me 159 milionë lekë të ardhura, ose 96.2% më shumë sesa në vitin 2023.

Rritja e të ardhurave është realizuar përmes rritjes së eficiencës dhe mirëmenaxhimit, si edhe rritjes së numrit të pronave të sekuestruara ose konfiskuara që janë dhënë me qira nga Agjencia.

LEXO EDHE: Raporti për 2024/ SPAK: Kemi sekuestruar 2.8 mld lekë! U konfiskuan 938 mln lekë dhe 27 mln euro

Të ardhurat e mbledhura, përveç përdorimit për detyrat funksionale të Agjencisë, shkojnë edhe për kompensimin e viktimave të krimit, në përfitim të komunitetit, si edhe si mbështetje financiare dhe infrastrukturore për agjencitë ligjzbatuese.

Dhënia me qira e pasurive të sekuestruara ose të konfiskuara bën të mundur që këto pasuri të shfrytëzohen dhe të sjellin përfitime për komunitetin dhe për buxhetin e shtetit.

AAPSK menaxhon pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara për të nxjerrë të ardhura përmes dhënies me qira ose formave të tjera të shfrytëzimit nga palë të treta, por pa i tjetërsuar ato.

Referuar shifrave, të ardhurat e Agjencisë nga qiradhënia e këtyre pasurive për vitin 2024 ishin 159 milionë lekë, ose 96.2% më shumë sesa në vitin 2023. Të ardhurat e siguruara nga qiradhënia në vitin 2023 ishin 81 milionë lekë.

Rritja e të ardhurave është realizuar përmes rritjes së eficiencës dhe mirëmenaxhimit, si edhe uljes së shpenzimeve për administrimin e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara.

Administrimi i pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara nga ana e AAPSK realizohet bazuar në Ligjin Nr. 34/2019 “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara” i ndryshuar, Ligjin Nr. 10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, përmes masave parandaluese kundër pasurisë” (Ligji Anti-Mafia), si edhe Vendime të Këshillit të Ministrave (VKM) që përcaktojnë procedurat e administrimit dhe përdorimit të këtyre pasurive.