Vrasja e Jani Aliajt në burgun grek Koridhalos dyshohet se u porosit dhe u pagua nga një tjetër shqiptar. Sipas hetimeve të autoriteteve greke, i dyshuari, i pa identifikuar, ka pasur përplasje me Jani Aliajn për pazare droge. Aliaj kishte dalë me leje nga burgu i Koridhalosit, tre javë më parë dhe qe rikthyer.
Ai ishte në proces ekstradimi drejt Shqipërisë, si i dënuar për vrasjen e Elton Çiços në vitin 2016, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Vrasja e tij në burg, u tentua edhe muaj më parë.
49-vjeçari nga Tepelena u godit tri herë me një mjet prerës të improvizuar si thikë. Autori, një 28-vjeçar grek e qëlloi dy herë në gjoks dhe një herë në qafë. Ai është prej 5 muajsh në burg, për vrasjen e një shqiptari.
Prej janarit 2025, Jani Aliaj qëndronte në burgun grek të Koridhalosit, në proces për t’u ekstraduar drejt Shqipërisë për vrasjen e Elton Çiços, ekstradim ende i pamiratuar nga Greqia. Më 1 janar 2025 ishte arrestuar në Athinë, pas 9 vitesh në arrati. U kap me look të ndryshuar, me flokë të mbjellë, për t’iu fshehur drejtësisë.
Në vitin 2016, shkak për vrasjen e Çiços dyshohet se ka qenë hasmëria mes rivalëve, e nisur në Greqi, kur të dy ishin në burg: Aliaj për vrasje e Çiço për trafik droge.
Çiço e kishte plagosur Jani Aliajn, në vendin fqinj e në Gjirokastër. Konflikti vijoi deri në vitin 2016, kur Aliaj vrau Elton Çiçon brenda një lokali në zonën e ish-Bllokut.