Sport

E ardhmja në Formula 1, Alonso: Pres të provoj me rregullat e reja, tërheqja…

Fernando Alonso po zhvillon një sezon me rezultate të dobëta, pasi nuk ka marrë ende asnjë pikë në pesë garat e para, por kjo nuk e pengon atë që të jetë optimist. Dy herë kampioni i Botës nuk e ka humbur aspak entuziazmin, për të shkëlqyer përsëri në Formula 1.

Makina Aston Martin nuk është konkurruese dhe këtë piloti spanjoll e di shumë mirë, por ai mban shpresë te projekti i udhëhequr nga projektuesi gjenial i njëvendësheve në F1, Adrian Njuei, duke parë nga viti 2026, kur do të ndryshojnë edhe rregulloret. Kësisoj, skuadra Aston Martin dhe vetë Alonso e shikojnë si një sezon tranzicioni Botërorin aktual.

Edhe pse në moshën 43- vjeçare (mbush 44 vjeç më 29 korrik), Alonso nuk e mendon tërheqjen. Ndonëse është plotësisht i vetëdijshëm se çdo ditë që kalon, e afron me tërheqjen nga Formula 1, ai shfaqet ende “i uritur”.

LEXO EDHE: “Do jetë një sezon i dhimbshëm”/ Drejtuesi i Ferrarit i përgjigjet Hamiltonit: Kemi bërë vetë pesë gara, e di që doni…

“Do të drejtoj për sa kohë që ndihem i shpejtë dhe konkurrues dhe ekipi ka nevojë për mua në timon. Nuk e shoh veten deri në moshën 50 vjeç në pistë, por nuk e di. Patjetër që do të garoj këtë vit dhe vitin tjetër, për shkak të ndryshimeve të rregullores. Dua të përjetoj rregulloret e vitit 2026 dhe ardhjen e Hondës në ekip”, shprehet Alonso për faqen zyrtare të Formulës 1, teksa pyetet për tërheqjen.

Më tej, piloti spanjoll flet për bashkimin me Adrian Njuein. “Kishte gjëra që ishin tërheqëse vitin e kaluar kur u ulëm së bashku për të negociuar kontratën. Por, pas vitit 2026, nuk e di çfarë do të ndodhë. Do të shikoj sezon pas sezoni. Do të shoh si do të ndihem dhe sa i motivuar do të jem. Jam tani, por nuk mund të garantoj pas tre ose katër vitesh.

Kështu që le të vazhdojmë deri në fund të vitit 2026 dhe më pas të shohim. Kam një marrëdhënie të jashtëzakonshme me Laurence Stroll, gjithashtu edhe me Lans”, shtoi Alonso. Me 22 sezone në F1, Alonso ka punuar me ekipet Minardi, Renault, MekLaren, Ferrari, Alpine dhe tashmë Aston Martin. Piloti e ka të qartë se çfarë dëshiron të bëjë pasi ta ketë mbyllur karrierën në pistë.

“Do të jem gjithmonë i gatshëm ta ndihmoj ekipin me çfarëdo që u nevojitet. Nëse është në timon, do ta zgjas kontratën nëse ata mendojnë kështu dhe nëse unë ndihem i motivuar. Por nëse nuk ndihem mjaftueshëm i shpejtë, do të jem i pari që ngre dorën. Kontrata ime është shumë më e gjatë se karriera ime në gara, kështu që do të qëndroj me këtë ekip për shumë, shumë vite në një rol të ndryshëm.

Nëse kjo do të thotë që mund të fitojmë një Kampionat Botëror edhe kur nuk jam pas timonit, do të jem ende shumë krenar për projektin. Më pëlqeu të isha konkurrues në vitin 2023. Dhe tani po shijoj procesin në të cilin ndodhemi dhe po ndërtojmë këtë ekip të së ardhmes. Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të na ndihmuar të arrijmë rezultatet më të mira sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundon Alonso.