Donald Trump tërhoqi ftesën për Kanadanë që t’i bashkohet “Bordit të Paqes” për Gazën, në përplasjen më të fundit mes dy fqinjëve të Amerikës së Veriut.
Ju lutem, lejoni që kjo letër të shërbejë për të treguar se Bordi i Paqes po tërheq ftesën në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë në atë që do të jetë bordi më prestigjioz i udhëheqësve i mbledhur ndonjëherë, në çdo kohë, shkroi presidenti amerikan në një postim në Truth Social drejtuar kryeministrit kanadez.
Këtë javë, Mark Carney bëri bujë kur paralajmëroi për një “çarje” në rendin global të udhëhequr nga Amerika. Kanadaja sinjalizoi se ndonëse nuk do të paguante për të qenë pjesë, do t’i bashkohej bordit.
Ndërkohë, kreu i BE-së, Antonio Costa, tha se udhëheqësit europianë kanë dyshime serioze për shtrirjen e bordit, por janë të gatshëm të bashkëpunojnë me këtë organ në Gaza e që nga Amerika po paraqitet si organizatë e re ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve.
Në postimin e mbrëmshëm, Trump nuk dha arsye se pse kishte vendosur ta anulonte ofertën për Kanadanë. Zyra e Carney-t nuk reagoi menjëherë.
Por, Kanadaja pati bërë të ditur se nuk do të paguante tarifën e anëtarësimit prej 1 miliard dollarësh, për të ndihmuar në financimin e bordit.
“Bordi i Paqes” i Trump-it fillimisht mendohej se kishte për qëllim të ndihmonte në përfundimin e luftës dyvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe të mbikëqyrte rindërtimin.
Tërheqja e ftesës për Kanadanë duket se erdhi pasi Carney e irritoi Trump-in me një fjalim që fitoi një duartrokitje të rrallë në këmbë këtë javë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Kryeministri kanadez iu bëri thirrje “fuqive të mesme” të bashkohen përballë shtrëngimit ekonomik nga “fuqi më të mëdha”, megjithëse nuk e përmendi presidentin amerikan me emër.
Një ditë më vonë, Donald Trump i tha të pranishmëve po në resortin alpin zviceran se Kanadaja përfiton shumë “falas” nga Shtetet e Bashkuara dhe se “duhet të jetë mirënjohëse”.
Kanadaja jeton falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vuri në dukje shefi i Shtëpisë së Bardhë. Mark, mos e harro këtë kur herën tjetër të bësh deklaratat e tua!