Celebrities Gossip Showbiz

“E kërkoja Liamin te çdo mashkull”/ Ish-partnerja e Liam Payne rrëfen ndarjen e dhimbshme!

Kate Cassidy ka zbuluar se lidhja e saj e re ka marrë fund, ndërsa ka pranuar se nuk arriti të shkëputej emocionalisht nga kujtimi i Liam Payne, duke e krahasuar vazhdimisht partnerin e ri me këngëtarin e ndjerë.

Influencuesja 27-vjeçare ishte në një lidhje dyvjeçare me ish-anëtarin e One Direction, Liam Payne, deri në vdekjen tragjike të artistit në tetor të vitit 2024, kur ai humbi jetën në moshën 31-vjeçare pas një rënieje nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires.

Në një video të publikuar në TikTok, Kate tregoi për 1.8 milionë ndjekësit e saj se romanca e re ka përfunduar, vetëm pak kohë pasi kishte lënë të kuptohej se kishte gjetur sërish dashurinë.

I dashuri është ndarë nga unë

-tha ajo, duke shpjeguar se lidhja kishte avancuar shumë shpejt.

Sipas saj, partneri i ri, të cilin ajo vendosi ta quajë “Joe”, ishte një person i qetë, larg rrjeteve sociale dhe me shumë cilësi që ajo i vlerësonte te një mashkull. Kate tregoi se kishte njohur familjen e tij dhe se marrëdhënia po ecte në një drejtim pozitiv.

Megjithatë, ajo pranoi se nuk arriti të largohej nga e kaluara.

Të dalësh sërish me dikë pasi ke humbur personin me të cilin mendoje se do të kaloje gjithë jetën është shumë e vështirë. Unë e kërkoja Liamin te çdo mashkull që takoja

-rrëfeu ajo.

Kate tregoi se shpesh e krahasonte partnerin e ri me këngëtarin e ndjerë, duke menduar se si do të kishte reaguar Liam në situata të ndryshme.

Kishte momente kur mendoja: ‘Liam do ta kishte bërë këtë’ ose ‘Liam nuk do të sillej kështu’

-tha ajo.

Sipas saj, partneri vendosi t’i japë fund lidhjes pasi situata ishte bërë e vështirë për të dy.

Ai më tha se duhej të vazhdonim secili rrugën e vet, sepse gjithçka ishte bërë shumë e rëndë dhe unë e kuptoj këtë

-u shpreh Kate.

Influencuesja pranoi se ndarja e ka lënduar, veçanërisht sepse nuk i pëlqen të humbasë njerëzit që bëhen pjesë e jetës së saj.

Vetëm pak javë më parë, ajo kishte publikuar në TikTok një video ku shfaqej në krahët e një mashkulli misterioz, duke shkruar: “Kur e di, e di”, çka bëri që shumë ndjekës të besonin se kishte nisur një kapitull të ri sentimental.

Megjithatë, rrjetet sociale të Kate vazhdojnë të jenë të mbushura me kujtime dhe homazhe për Liam Payne.

Në një nga postimet e saj më të fundit, ajo publikoi një fotografi të tyre së bashku, të shoqëruar me fjalët prekëse:

Nuk do të gjej kurrë dikë më të mirë gjatë gjithë jetës sime. Të dua përgjithmonë.

Rrëfimi i saj vjen vetëm pak ditë pasi u bë e ditur se djali i Liam Payne, Bear, do të trashëgojë pasurinë e këngëtarit, e cila vlerësohet në rreth 21 milionë paund.