Liam Payne duket se kishte “parashikuar” në mënyrë të pavetëdijshme fatin e tij tragjik, vite përpara se të ndodhte, përmes një kënge që sot tingëllon më drithëruese se kurrë.
Kompozitori pas këngës së tij të vitit 2019, “Live Forever”, ka zbuluar se projekti ishte frymëzuar nga një përvojë personale pranë vdekjes, që më vonë mori një kuptim të frikshëm pas ndarjes nga jeta të artistit.
Në një intervistë për “The Guardian”, Samuel Preston tregoi se e shkroi këngën pasi u hodh nga ballkoni i një hoteli në Danimarkë në vitin 2017.
Rënia i shkaktoi plagë të rënda, përfshirë thyerje kockash dhe një mushkëri të shpuar, ndërsa mjekët kishin frikë se ai nuk do të ecte më kurrë.
Pas muajsh të gjatë rikuperimi, përfshirë gjashtë muaj në karrocë me rrota, ai arriti të rifitonte lëvizshmërinë. Kjo përvojë u bë baza e “Live Forever”, këngë që më vonë ia dha Payne-it për albumin LP1.
Por vite më vonë, vdekja tragjike e Payne pas një rrëzimi nga ballkoni në Argjentinë në vitin 2024 e ktheu këngën në një simbol të dhimbshëm dhe të pazakontë.
[Ia dhashë këngën Liamit] dhe pastaj ai bie nga ballkoni dhe vdes. Ka disa gjëra që ndodhin në jetën tënde ku thjesht nuk mund ta besosh se kjo është një sërë rrethanash të vërteta
-u shpreh Preston.
Duke kujtuar artistin, ai shtoi:
Djalë shumë qesharak, i ëmbël dhe i sjellshëm. I keqkuptuar. Një talent i madh.
Preston pranoi gjithashtu se do të kishte dashur që kënga të shërbente si një paralajmërim:
Po përpiqesha të thoja: ‘Dëgjo, vëlla, kjo gjë më ndodhi edhe mua’. Por është e vështirë t’u japësh njerëzve këshilla nëse nuk janë gati ta pranojnë.
Pas aksidentit të tij, kompozitori u përball edhe me varësinë ndaj qetësuesve të dhimbjeve, një periudhë që e përshkroi si të mbushur me “tmerr dhe tmerr”.
Edhe pse sot është rikuperuar, paralelizmat mes historisë së tij dhe fatit të Payne mbeten të vështira për t’u injoruar.