Trump Mobile, kompania e telefonisë e lançuar nga Donald Tramp Jr. dhe Eric Tramp, është përfshirë në një skandal të ri pasi është akuzuar për rrjedhje të të dhënave personale të klientëve. Sipas raportimeve, YouTuberët e njohur Coffeezilla dhe penguinz0 thanë se një studiues i sigurisë kibernetike i kontaktoi duke u treguar se të dhënat e klientëve të Trump Mobile ishin të aksesueshme online. Mes informacioneve të ekspozuara përfshiheshin adresat e banimit dhe adresat e emailit të përdoruesve.
Coffeezilla deklaroi se edhe ai vetë ishte mes klientëve të prekur, pasi kishte porositur telefonin T1 me ngjyrë ari nga platforma Trump Mobile. Ai paralajmëroi publikisht që përdoruesit të shmangin porositë në faqen zyrtare derisa problemi të zgjidhet, duke pretenduar se siguria e platformës është seriozisht e cenuar.
Sipas raportimit të TechCrunch, dy YouTuberët nuk zbuluan mënyrën se si ishte arritur aksesimi i të dhënave, pasi pretenduan se dobësia ishte shumë e lehtë për t’u shfrytëzuar dhe se informacionet vazhdojnë të jenë të disponueshme online. Ata shtuan gjithashtu se studiuesi që zbuloi problemin kishte tentuar të kontaktonte kompaninë, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Trump Mobile. Kompania Trump Mobile u lançua në vitin 2025 dhe mban emrin e familjes Tramp, ndërsa rasti i fundit ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e të dhënave të klientëve.