Shimpanzetë konsumojnë ekuivalentin e të paktën një pijeje alkoolike në ditë, ndërsa hanë fruta të pjekura dhe në fermentim, thotë një studim që trajton një arsye të mundshme pse njerëzit tërhiqen nga alkooli. Studimi, i kryer në zonat e egra të Afrikës ku jetojnë kafshët, mbështet teorinë se njerëzit mund të kenë trashëguar nga primatët një shije për alkoolin dhe aftësinë për ta metabolizuar atë edhe pse është toksik për ne.
Hulumtuesit mblodhën fruta që hanë shimpanzetë dhe matën përmbajtjen e tyre të etanolit, i cili prodhohet ndërsa sheqeri fermentohet. Përmes sasisë së madhe të frutave që hanë shimpanzetë, studiuesit llogarisin se kafshët marrin rreth 14 gramë alkool në ditë. Duke korrigjuar për madhësinë e trupit, është sikur shimpanzetë po pinë një gotë birrë në ditë, tha për AFP, Aleksey Maro, autori kryesor i studimit të botuar në revistën Science Advances. “Nuk është një sasi e vogël alkooli, por shumë e holluar dhe më shumë e lidhur me ushqimin”-tha kandidati për doktoratë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.
Ndërkaq, rikujtojmë se një studim i fundit ka treguar se majmunët i vendosin pseudonime njëri-tjetrit. Marmosetët përdorin thirrje të veçanta që quhen “phee” për t’u identifikuar dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin. Deri më tani, mendohej se vetëm njerëzit, elefantët dhe delfinët mund ta bënin këtë. Ky zbulim thekson kompleksitetin e ndërveprimit social te marmosetët dhe kjo mund të ndihmojë në zbërthimin e misterit të evolucionit të gjuhës njerëzore. Ekipi kërkimor regjistroi bisedat mes çifteve të marmosetëve si dhe ndërveprimet mes majmunëve dhe një sistemi kompjuterik. Rezultoi se majmunët përdorin thirrjet “phee” për t’iu drejtuar individëve të ndryshëm.