Ndërsa dy vjet më parë, qeveria u vu në një garë të ethshme për të barazuar pagat me rajonin, edhe ky i fundit nuk ka qëndruar në vend, duke bërë që gara të humbasë sërish, pavarësisht avantazhit që dha zhvlerësimi i euros. Institucionet qeveritare njoftuan me krenari se paga mujore bruto në administratën publike u rrit me 15% në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 96.8 mijë lekë.
E konvertuar në monedhën e përbashkët, me kursin aktual, (rreth 98.2 lekë) paga në euro u llogarit në 987 euro në posterat e shumtë që u shpërndanë në rrjetet sociale.
Në fakt, qeveria është ndihmuar nga zhvlerësimi i euros vitet e fundit, teksa e konvertuar me kursin e dy viteve më parë (kur ishte 115 lekë), paga do të ishte rreth 840 euro ose rreth 150 euro më pak se sot. Si rrjedhojë, e shprehur në euro, paga mujore bruto në administratë është e mbivlerësuar nga efekti i kursit ndërsa në realitet, e ardhura në lekë sot vlen më pak, për shkak të shtrenjtimit të lartë të kostos së jetesës dy vitet e fundit.
Edhe me ndihmën e kursit, paga në administratën publike mbetet rreth 20% më e ulët se mesatarja e rajonit, me përjashtim të Kosovës, sipas të dhënave të institucioneve statistikore përkatëse të përpunuara nga “Monitor”, që i përkasin tremujorit të tretë 2024. Në vendet e rajonit, administrata paguhet midis 1000-1400 euro në muaj.
Paga më e lartë mesatare bruto mujore në administratë është në Bosnjë-Hercegovinë, me 2,789 BAM (marka e konvertueshme), ose 1,425 euro. Në vend të dytë renditet Mali i Zi, ku një punonjës në administratë merr mesatarisht 1,189 euro në muaj. Në po të njëjtat nivele është Serbia, me 62,573 dinarë, ose 1,188 euro. Maqedonia e Veriut ka një nivel prej 62,573 dinarësh ose rreth 1,020 euro.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat vetëm për vitin 2023, kur paga mesatare për të punësuarit në shtet është 713 euro. Nëse do të zhvishej nga efekti i kursit të këmbimit, paga mesatare në shtet mbetet rreth 30% më e ulët se vendet e tjera të rajonit, pa përfshirë Kosovën.
Rritja e pagave në shtet nuk e tërhoqi privatin
Ndonëse filozofia e kryeministrit ishte që rritja e pagave në shtet do të tërhiqte edhe sektorin privat, kjo nuk ka ndodhur. Administrata shtetërore i është gëzuar një rritjeje të ndjeshme të pagave në tremujorin e tretë të këtij viti, si në raport me tremujorin e mëparshëm ashtu dhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
E kundërta ka ndodhur me ata që punojnë në sektorin privat, të cilët në verë kanë marrë më pak se tremujorin e mëparshëm ndërsa edhe në krahasim me verën e një viti më parë, rritja ka qenë e lehtë.
INSTAT-i raportoi se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar, gjatë tremujorit të tretë 2024, është 77.669 lekë, duke u rritur me 8,6%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror arriti rekordin e 96.8 mijë lekëve, me një rritje prej gati 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vlerë, të punësuarit në shtet marrin 12.5 mijë lekë më shumë në muaj. Edhe në krahasim me tremujorin e mëparshëm, paga është rritur me gati 11 mijë lekë. Në korrik hyri në fuqi rritja e pagave për mjekët e mësuesit dhe punonjësit e ushtrisë.
Në të kundërt, në sektorin privat, rritja e pagave me bazë vjetore ka qenë shumë e ulët. Sipas të dhënave të INSTAT-it, paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin privat ishte 69 mijë lekë në tremujorin e tretë. Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, paga mesatare në privat ka shënuar një rënie të lehtë. Edhe në raport me një vit më parë, rritja është shumë më e ulët se në shtet, me 5.4%, ose 3.5 mijë lekë më shumë./Monitor