Vivienne Jolie-Pitt, vajza e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm ligjor duke kërkuar zyrtarisht heqjen e mbiemrit të të atit, një zhvillim që duket se konfirmon raportet për marrëdhëniet e ftohta mes saj dhe aktorit hollivudian.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six, 17-vjeçarja i është drejtuar Gjykatës së Lartë në Los Angeles me kërkesën që emri i saj të ndryshohet nga Vivienne Marcheline Jolie-Pitt në Vivienne Marcheline Jolie.
Emri i mesëm, Marcheline, është një homazh për gjyshen e saj nga nëna, Marcheline Bertrand, e cila ndërroi jetë në vitin 2007 pas një beteje me kancerin e vezoreve dhe gjirit.
Në dokumentet gjyqësore, Vivienne ka deklaruar se vendimin për ta hequr mbiemrin “Pitt” e ka marrë për arsye personale, pa dhënë detaje të tjera.
Një burim pranë familjes i tha Page Six se ky veprim pasqyron një shkëputje të thellë në marrëdhënien mes babait dhe vajzës.
Vivienne nuk është fëmija i vetëm i çiftit që ka zgjedhur të distancohet nga mbiemri i Brad Pitt. Edhe motra dhe vëllezërit e saj, Shiloh, Maddox, Zahara dhe Knox, kanë ndërmarrë hapa për të mos përdorur më mbiemrin e aktorit.
Ndërkohë, Pax raportohet se vazhdon të mbajë kontakte me disa anëtarë të familjes së Brad Pitt, megjithëse marrëdhënia e tij me të atin mbetet e tensionuar.
Deri më tani nuk dihet nëse edhe ai do të kërkojë zyrtarisht ndryshimin e mbiemrit, ndërsa familja Jolie-Pitt vijon të jetë në qendër të vëmendjes për raportet e ndërlikuara mes Brad Pitt dhe fëmijëve të tij, pas divorcit të shumëpërfolur me Angelina Jolie.