Aktualitet Politikë

Edison Memolla zgjidhet në krye të Bashkisë Rrogozhinë me mbi 1 mijë e 700 vota më shumë se rivali i “BF”!

Përfundon numërimi në Rrogozhinë, Edison Memolla fiton zgjedhjet e një dite më parë dhe do të jetë kryebashkiaku i ri. Socialisti triumfoi me mbi 1 mijë e 700 vota diferencë se rivali Shkëlqim Hoxha i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Zgjedhjet u përsëritën pasi KQZ shpalli të pavlefshëm rezultatin e 14 Majit. Ndërkaq, dje pjesëmarrja ishte më e lartë.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e  Tiranës, Erion Veliaj përshëndeti fitoren e thellë të Edison Memollës në Rrogozhinë.  Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj falënderoi të gjithë qytetarët e theksoi se  “demokratët janë vëllezërit tanë dhe kush shkëputet nga Saliu e salinjtë ka kryer një vepër patriotike duke votuar majtas”.

Faleminderit nga zemra qytetarëve të Rrogozhinës, të majtë e të djathtë, që na dhanë një mbështetje përtej pritshmërive tona më optimiste! Mirënjohje të majtëve, por edhe shumë të djathtëve, që bënë diferencën duke braktisur politikën ‘përça e sundo’ e ‘mish për top’ kundër Perëndimit! Demokratët nuk janë armiqtë tanë, ata nuk janë Saliu, familjet e tyre nuk vrasin e vjedhin, nuk i hapin luftë qytetërimit, nuk jetojnë duke shqyer tjetrin. Demokratët janë vëllezërit tanë dhe kush shkëputet nga Saliu e salinjtë ka kryer një vepër patriotike sot duke votuar majtas! Këtë mesazh e lexuam qartë e do t’ju shërbejmë me përulësi të gjithëve.

Ky është një rezultat i cili i jep përgjigje të gjithëve. Dhe i jep fund përpëlitjeve absurde që donin të përdornin nga njerëz që duan të përdorin votën për t’u mbrojtur nga zullumet që kanë kryer. Qytetarët e Rrogozhinës nuk e hanë presionin nga askush. As nga xhepat e thellë as nga gojët e thella. Qytetarët e Rrogozhinës duan njerëzit që punojnë, jo ata që përfitojnë. Ky është mesazhi, ky është mandati që na dhanë. Puna! Kësaj do i dalim për zot! Punë të mbarë Edisonit e skuadrës sonë aty!