Celebrities Live From Tirana Music

Edukimi me art, kompozitorja Klodeta Buzi flet për TAR: “Brezi i ri nuk impenjohet më, duan famën e shpejtë”!

Sot në emisionin “Live from Tirana” për të na folur rreth temës së ditës së sotme “Edukimi me art”, ishte e ftuar në studio kompozitorja dhe drejtuesja e Akademisë “Hollywood“, Klodeta Buzi. Çfarë është edukimi me art sipas Klodetës?

Edukimi me art është një e drejtë për çdo njeri. E nevojshme dhe e rëndësishme për të gjithë të rinjtë dhe fëmijët. Arti të hap dritare dhe imagjinatë.

Si është krijuar akademia e Buzit, një akademi mirëfilli ku operohen forma të ndryshme artistike?

Jetoja në Los Angelos, kisha qejf të hapja diçka me shoqen time. Kisha punuar në universitete muzike. Qëlloi viti 2008 që ishte krizë financiare dhe u ktheva në Shqipëri ku vazhdova idenë që kisha nisur atje. Këtu kisha terren më të lehtë, sepse këtu nuk kishte diçka që të ofronte muzikën rrok. Doja patjetër të thyeja barrierat që këtu në Shqipëri e shikonin muzikën sipas gjinive. Kemi pasur një brez të mrekullueshëm adoleshentësh dhe dashuria për edukimin u hap më shumë dhe jemi ku jemi sot.

Prindërit e sotëm në dallim me prindërit e atëhershëm a janë më dashamirës me artin?

Nuk shikoj ndonjë ndryshim në prindërim në këtë prizëm. Ne kemi fatin që kemi prindër të mirë, prindërit që i shtyjnë fëmijët për t’u bërë artista nuk egzistojnë më. Të paktën jo të akademia ku unë punoj. Kërkesa e llogarisë është shumë më e vogël tani sesa më përpara. Nëse dikur kërkonin angazhim te fëmija, tani kërkojnë vetëm t’i heqin nga kompjuteri. Kemi një problem shumë të madh, brezi i ri nuk impenjohet më. Shtyhen drejt diçkaje por jo një impenjim dhe rritje të tyre emocionale të vetëdijshme. Ne nuk mund t’i ç’fokusojmë këta të rinj, është e pamundur sepse sado i shtrenjtë apo i lirë të jetë një leksion muzike nuk e konkurron as Youtube-in dhe as TikTok-un.

Cila është gjinia edukative që i mungon Shqipërisë?

I mungojnë shumë. Para Covid-it kishte shumë aktivitete. Të gjitha ekspozitat mund të kenë orë të hapura për fëmijët të eksplorojnë. Nga ana e muzikës mungojnë koncertet adapte për fëmijët. Janë pak të rrezikshme tani sepse fëmijët nuk mbajnë dot maska. ‘Musicale’ të vogla për fëmijët do t’i bëjë shumë mirë atyre, do t’i mahnisë. Opera është fantastikë për ata. Ka fëmijë që vijnë me ide shumë të qarta, që duan të bëjnë violinën, të mësojnë pjesët e saj. Do të doja që Tirana të kishte më shumë aktivitete për fëmijët. Jam krenare për këndimin e Himnit Kombëtar që bëmë më fëmijët nëpër shkolla. Zërat e fëmijëve janë fantastik. Ka konkurse koresh megjithatë me ëndrrat që kam nuk jemi në nivelin e duhur. Sa më shumë të edukohen fëmijët me art aq më popull i mirë do të jemi. Unë prita që telefonat do të çaheshin për t’u bërë këngëtar kur Dua Lipa u bë ajo çfarë është sot, por nuk ndodhi. Duan famën e shpejtë. Dua Lipa ishte nga Kosova, por sa kurse bëri ajo, sa punoi? Dorën e mirë e jep prindi, mësuesi, qyteti. Vjen një moment që nuk është se të rinjve nuk i pëlqen më muzika por nuk dinë të flasin për muzikën ose ndodh që kanë edhe turp të thojnë se çfarë ju pëlqen.

Edukimi mbi folklorin ku gjendet sot?

Është dicka që e kemi si projekt por na ndaloi prej Covid-it. Kemi brezin e vjetër që janë të fundit që dinë për folklorin. Në Shqipëri ka qytete që punojnë për folklorin por janë shumë pak. Është i rëndësishëm të jetë i ofruar kudo që fëmijët të identifikohen nga vijnë. Po kërkojmë nga fëmijët këngë folklorike. Përpara muzikës rrok-pop muzika folklorike është ajo çfarë ne jemi.

Cfarë pretendon të prekë Klodeta me muzikën e saj në serialin $NOB?

Një karakter ka një emocion që po kalon dhe unë dua që ju ta ndjeni atë përmes muzikës. Në një seri kemi 2-3 këngë dhe çdo gjë tjetër është e kompozuar. Është punë origjinale e gjitha. Shumica e kompozimeve bëhën nga 1-5 dhe pastaj përsëriten. Do doja që njerëzit ta shijojnë e ta kuptojnë muzikën. Pjesën time më të bukur e kam në serinë 4. Është pjesë që unë e dashuroj.