Në dizajn grafik dhe arkitekturë, “white space” i referohet hapësirës bosh që i jep frymëmarrje një strukture. E njëjta ide po merr gjithnjë e më shumë vëmendje në psikologjinë e stilit të jetesës. Koncepti i “white space” në jetën e përditshme lidhet me momentet e qëllimshme të qetësisë, ato pauza të shkurtra midis angazhimeve që ndihmojnë mendjen të rimarrë veten.
Në një realitet ku gjithçka është e mbushur me nxitim, njoftime, zhurmë dhe orare, truri ynë po lodhet. Studimet neurologjike kanë treguar se:
Mendja ka nevojë për mikro-pauza gjatë ditës për të ruajtur përqendrimin, kreativitetin dhe shëndetin emocional.

‘White space’ nuk do të thotë të shkosh me pushime dy javë në një resort, por të ndalosh për 5 minuta mes dy takimeve. Të ulesh pa celular, pa biseda, pa listë detyrash. Vetëm për të qenë. Këto pushime të shkurtra mund të përfshijnë një frymëmarrje të vetëdijshme, një shëtitje pesë-minutëshe pa telefonin në dorë, apo thjesht një moment ku sheh nga dritarja pa menduar për asgjë. Kjo “hapësirë mendore” ndihmon në uljen e nivelit të kortizolit, përmirëson vendimmarrjen dhe rrit ndjesinë e vetëkontrollit.
Gjithashtu, pushimet e shkurtra në mes të një dite të ngarkuar janë sekreti i shumë profesionistëve të suksesshëm dhe krijuesve. Ato nuk janë humbje kohe, përkundrazi, janë investim për fokus dhe produktivitet. Në një epokë ku “busy” është bërë sinonim i “suksesit”, të krijosh qëllimisht momente të bardha në ditën tënde është një akt rebelimi i shëndetshëm. Jepi mendjes një hapësirë për të marrë frymë dhe do të habitesh sa më qartë dhe energjik do të ndihesh pas saj.