Valët e të nxehtit nuk ndikojnë vetëm në shëndetin fizik, por mund të kenë pasoja të dukshme edhe në mirëqenien mendore, paralajmërojnë ekspertët.
Sipas LJ Jones nga “Shoqata Britanike për Këshillim dhe Psikoterapi”, ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave ekstreme mund të rrisë ndjeshëm stresin psikologjik dhe simptomat e ankthit.
Ajo shpjegon se nxehtësia e lartë e vë trupin në gjendje stresi, duke rritur rrahjet e zemrës, duke prishur gjumin dhe duke shkaktuar dehidratim, faktorë që shpesh amplifikojnë ndjesitë fizike të ankthit.
Personat që vuajnë tashmë nga ankthi, depresioni ose sulmet e panikut janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj këtyre ndryshimeve.
Kur njerëzit ndiejnë se nuk kanë një mënyrë efektive për t’i shpëtuar vapës, është e kuptueshme që mund të ndihen të bllokuar në shtëpitë e tyre
-ka thënë Jones.
Sipas saj, një nga problemet kryesore nuk është vetëm temperatura, por edhe ndjesia e mungesës së kontrollit mbi situatën.
Doktori Asim Cheema paralajmëron gjithashtu se disa ilaçe antidepresive, përfshirë SSRI-të, SNRI-të dhe antidepresivët triciklikë, mund të ndikojnë në aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën.
Këto medikamente mund të ndryshojnë mënyrën se si trupi djersin dhe reagon ndaj nxehtësisë, duke rritur rrezikun për lodhje, dehidratim apo edhe goditje nga nxehtësia.
Marrja e antidepresivëve nuk do të thotë që nuk mund ta shijoni verën, por kërkon kujdes më të madh gjatë temperaturave ekstreme
-theksoi ai.
Këshillat e ekspertëve…
Specialistët rekomandojnë disa masa të thjeshta për të ulur ndikimin e vapës:
-konsumim i rregullt i lëngjeve
-mbajtja e ambienteve sa më të freskëta
-vakte të lehta dhe të rregullta
-gjumë cilësor dhe pushim i mjaftueshëm
Ekspertët theksojnë se kujdesi ndaj trupit gjatë valëve të të nxehtit është po aq i rëndësishëm sa edhe kujdesi ndaj shëndetit mendor.