Lifestyle

Ekspertët sqarojnë pse qentë kryejnë nevojën në shtëpi! Hakmarrje apo ankth?

Shumë pronarë qensh e kanë përjetuar situatën e pakëndshme kur kafsha e tyre kryen nevojën në shtëpi, shpesh pas një shpërnguljeje ose ardhjes së një anëtari të ri në familje.

Sipas ekspertëve, kjo sjellje nuk lidhet me hakmarrje, por me stres dhe ankth, veçanërisht me atë të ndarjes.

Hakmarrja, mllefi apo paramendimi janë emocione njerëzore, jo të kafshëve

-theksojnë studiuesit.

Sipas tyre, qentë përjetojnë emocione bazike si gëzim, frikë apo trishtim, por jo emocione dytësore si ndjenja e fajit apo hakmarrja. Edhe pse ndonjëherë mund të shfaqin xhelozi, hakmarrja nuk është pjesë e botës së tyre emocionale.

Ndryshimet e mëdha në rutinë, si shpërnguljet apo ardhja e një fëmije, janë burim i fortë ankthi për qentë. Të qarët, aromat dhe objektet e reja shpesh i shqetësojnë, ndërsa edhe tensioni i pronarëve reflektohet te ta. Në shumë raste, kjo sjellje është një mënyrë e pavetëdijshme për të shfryrë stresin.

Ekspertët këshillojnë që pronarët të vëzhgojnë shenjat e ankthit: bebëza të zgjeruara, frymëmarrje të shpejtë, qëndrim të ngurtë, rënkime, qime të ngritura apo veshë të shtrirë pas.

Një test i thjeshtë është vendosja e një kamere: një qen i qetë do të flejë pas largimit të pronarit, ndërsa një qen i shqetësuar do të endet dhe do të qajë për orë të tëra.

Specialistët paralajmërojnë se ankthi i ndarjes nuk duhet nënvlerësuar. Edhe nëse nuk shkatërron mobiliet apo nuk leh pa pushim, fakti që qeni kryen nevojën brenda është një tregues i qartë i kësaj gjendjeje. Nëse situata përsëritet, zgjidhja është konsultimi me veterinerin ose një ekspert të sjelljes së kafshëve.