Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë me “Shqipëria Vendos – Zgjedhjet 2025”.
Nën drejtimin e gazetarit Blendi Salaj, Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.
Eksperti i zgjedhjeve dhe krimeve zgjedhore, Gerti Shella:
Zoti Berisha duhet të largohet nga Partia Demokratike, jo thjesht sepse e ka detyrim statutor, por sepse tanimë për Partinë Demokratike, realiteti poltik është krejt i palexueshëm dhe bëhet i pakuptimtë. Pra, asgjë nuk përkon, janë dy vektorë të cilët nuk ndërveprojnë në këtë fazë. Nga ana tjetë, mendoj që e djathta në tërësi, ose grupime të cilat synojnë që të aktivizojnë një rotacion të pushtetit, duhet dhe ato që të gjejnë një modus operanti, pasi kuptohet që në kampin opozitar ka pasur dhe një garë të brendshme, ndryshe nga kampi i pushtetit, që Partia Socialiste ka qenë e vetme në dominionin e saj të pushtetit apo të spektrit të majtë politik. Kjo obligon tani partitë e reja të cilat duhet ta kuptojnë më në fund që me këtë sistem zgjedhor nuk ka protagonizëm politik, nuk mund të ketë një individualizëm të pastër. Pra, nuk mund të jenë ata superheronjtë, që në vetmi apo në atë individualitetin e tyre, mund të përballen me një sistem politik si ky i Shqipërisë.