E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë ekspertja e turizmit Flora Xhemani Baba. Ajo ka folur më shumë për turizmin në Shqipëri, destinacionet më trend, si dhe problematikat që hasen sot nga turistët…
A është ende herët nëse mendojmë tani për pushimet e verës?
Jo, nuk është herët, është tamam koha për të marrë masa për verën, në shumë aspekte. E para, duhet të kuptojmë pak trendin e sezonit, se ku jemi me çmimet, ku jemi me trendet e sezonit, ku jemi me pasojat e luftës. Për fat të keq, lufta është si thika me dy presa, që mund të sjellë dëme në sezonin tonë turistik, por mund të sjellë edhe të mira, sepse mund të ndryshojë rrjedha e fluksit turistik, siç ndodhi me Dubain apo gjithë Lindjen e Mesme, që pati një devijim të fortë të të gjithë fluksit turistik, që pastaj iu drejtuan Spanjës, vendeve të Mesdheut, ku bëjmë pjesë edhe ne. Ndoshta do kemi ato përfitimet tona. Nuk është herët për të rezervuar, qoftë edhe në Shqipëri, sepse hotelet ose resortet e bregdetit shqiptar i kanë çelur rezervimet për sezonin veror, që nga qershori e deri në shtator. Unë jam gjithmonë partizane e rezervimeve herët.