Aktualitet

Ekstradohet nga Britania drejt Shqipërisë, anëtari i grupit të Laert Haxhiut!

Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë, Lorenc Lala, i njohur edhe me emrat Kristian Lala e Ilir Lamberti, lindur në Lushnjë. 49 vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, i dyshuar se ka bashkëpunuar me Laert Haxhiun, Artan Tafanin, Lulzim Spahijan, Enriko Xhahysan e Bledar Berberin për vrasjen e Albi Bashaliut, më 27 dhjetor 2021 në Gjocaj të Peqinit.

Ka dyshime se dha 50 mijë euro për vrasjen e Bashaliut dhe se siguroi armët e mjetet e transportit për grupin kriminal, si dhe largimin nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The  Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit:

-L.L. alias K.L. alias I.L., 49 vjeç, lindur në Lushnjë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.10.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

49-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit L.H., A.T., L.S., E.Xh. dhe B.B., për të kryer vrasjen e shtetasit A.B., më datë 27.12.2021, në fshatin Gjocaj, Peqin.

Ai dyshohet se ka siguruar armët për kryerjen e këtij krimi dhe mjetet e transportit për largimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal, nga vendi i ngjarjes.