Egnatia dhe Elbasani kanë lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi kanë barazuara 1-1 në ndeshjen e parë në Rrogozhinë.
Ka qenë një ndeshje e luftuar, që prodhoi më shumë lojë e raste në pjesën e parë të saj, ku u shënuan edhe të dy golat e kësaj sfide. Ndërsa në pjesën e dytë, skuadrat u kujdesën më shumë që të mos pësonin për të lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, duke bërë që dueli të mbyllej me këtë barazim 1-1.
EGNATIA-ELBASANI 1-1
5′ Sota / 44′ Ze Gomesh
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, pas ndeshjes deklaroi:
“Do ta fillojmë nga gjërat e mira, sot ishim shumë mirë, në ekuilibër në të dyja fazat. Nuk jam i kënaqur vetëm me golin e pësuar. Ishte nga një goditje standarte, Sota ishte vetë, këtu jam i mërzitur. Ne e dominuam, ishim afër të fitonim ndeshjen. Kualifikimi është i hapur, kemi një ndeshje tjetër në Elbasan, atje do të vendoset kush do të shkojë në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Me Boje fitojmë hapësira në fazën sulmuese. Ai është shumë i mirë pa top. Ka shpejtësi dhe sulmon hapësira mbrapa shpinës të kundërshtarët. Në pjesën e parë ishim shumë mirë, në pjesën e dytë u lodh bashkë me Ze Gomes. Kjo ishte ideja nga fillimi.
Kemi lojtarë të shpejtë si Lajthia, Boje, ishte ideja të kapnim Egnatian për kundërsulm, ishim 2 herë afër. Kur futëm Dialo dhe Tsage kishim tjetër mundësi. Ishim pak më në ekuilibër me Dialo dhe Tsage.
Ne bëmë mirë në pjesën e parë. Boje ishte nga 2 javë pushim, nuk kishte rritëm maksimal. Në pjesën e parë bëmë maksimumin. Ishim tamam”, u shpreh Gvozdenoviç.