Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, AMP, pas një hetimi disa mujor, ka arrestuar një 25-vjeçar në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore etj”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Në këtë hetim janë përfshirë dhe familjarët e tij, vëllai dhe babai me detyrë policë, për të cilët ka nisur procedimi penal.
LEXO EDHE: Operacion kundër lojërave të fatit në Korçë, 10 të arrestuar, 3 prej tyre pronarë lokalesh!
Në një komunikatë zyrtare të policisë së Elbasanit, thuhet se për shtetasin G. D., 28 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Përrenjas dhe shtetasin H. D., 63 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Peqin, ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Arrestimi i shtetasit F. D. u krye pasi nga kontrolli i biznesit Bar Kafe në pronësi të familjes, i cili rezultonte i palicensuar, u siguruan prova dhe fakte që ata e kishin përshtatur ambjentet e këtij biznesi për organizimin e palejuar të lojërave të fatit.
Nga kontrolli i ushtruar në biznesin Bar Kafe, u sekuestrua një armë e ftohtë e llojit thikë, një telefon celular, si dhe shumat monetare prej 612,700 lekë dhe 550 euro të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.