Back to the Beginning

Elma Doresi, zëri i fuqishëm i regjisurës moderne në Teatrin Kombëtar!

Regjisorja Elma Doresi ishte e ftuar në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin në Top Albania Radio, ku ndau me dëgjuesit historinë e saj artistike, të ndërtuar me përkushtim dhe pasion në skenën shqiptare. Gjatë bisedës, ajo foli për fillimet e saj në teatër, frymëzimet që e shtynë drejt regjisurës dhe sfidat që ka hasur gjatë rrugës.

Prej disa vitesh, ajo është aktive me projekte të ndryshme artistike në Teatrin Kombëtar, ku ka realizuar shfaqje që kanë ngjallur debat, reflektim dhe vlerësim. Me një stil që ndërthur ndjeshmërinë njerëzore me qasjen bashkëkohore të regjisurës, Elma Doresi ka sjellë në skenë tema që prekin shpirtin e publikut dhe pasqyrojnë realitete të thella shoqërore. Angazhimi i saj i pandërprerë në teatrin shqiptar e ka bërë një nga zërat më të veçantë dhe të respektuar në regjinë teatrore, duke e vendosur në qendër të vëmendjes si një grua që e udhëheq artin me vizion dhe qëndrueshmëri.

A ishte shkolla e artit një nxitje për të që ta donte edhe më shumë profesionin?

Nëse do kthehemi pas, unë kam konkurruar dy vite rresht për ta hapur atë derë. Në përgjithësi thonë se talentet dy herë konkurrojnë. Po edhe kësaj po t’i futesh, dalin shumë emra që kanë konkurruar dy herë. Kur e hapa më në fund derën, u ndesha me një botë që nuk kishte lidhje po themi me Cinecittà, që unë kisha parë serialet se si zgjidheshin kostumet. Për shembull, këtë sezon do bëjmë Shekspirin, edhe ishin ato magazinat e mëdha ke kostumet e bukur. Ndërkohë kishim një studio që linte shumë për të dëshiruar në ato vite. Pritshmëritë ishin të mëdhaja se na morën në qafë serialet që shikonim në Top Channel. Megjithatë thashë ‘edhe në këto kushte do bëhem’.

Çfarë ndodhi me të në lidhje me punën në Teatrin Kombëtar?

Do të kujtoj fjalët e një mikut tim profesorit Haqif Mulliqit, rahmet pastë. Për fat të keq të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur po ikin një e nga një. Haqifi, bashkë me zonjën e tij Shpresa, do të vinte në çdo premierë vetë. Merrte rrugën nga Prishtina, shikonte shfaqjen, qëndronte një natë në Tiranë dhe të nesërmen nisej sërish. Shqiptari të fal gjakun, por suksesin kurrsesi. 

Më tej, ajo shtoi:

Shfaqjet që unë kam bërë janë vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Janë përzgjedhur për të ikur nëpër festivale. Mos harrojmë “Zbutjen e Kryeneçes” që nuk ishte një shfaqje që në ato vite shiti të gjitha biletat në Teatrin Kombëtar për 19 netë rresht, por u përzgjodh nga 10 produksione, që u dorëzuan në teatrin shqiptar, në 2 festivale ndërkombëtare në Kinë për herë të parë në historinë e teatrit shqiptar. Dhe pas kësaj, unë do vija të bëja edhe një shfaqje të dramës që ka qenë e Ferdinand Hysit sërish pavarësisht kushteve që kanë qenë në teatër, mua do më vinte edhe pushimi dhe heqja nga puna me një arsye ‘roli i regjisorit rol në qarkullim’. Unë nuk e kuptoja rol në qarkullim dhe unë qarkullova nga Teatri Kombëtar në shtëpi.