Një grup emigrantësh që përgatiteshin të niseshin me gomone nga veriu i Francës drejt Britanisë kanë sulmuar dje forcat e sigurisë që patrullonin në Calais, duke goditur automjetin me gurë derisa ai u përmbys megjithë oficerët brenda.
Tre anëtarë të xhandarmërisë u plagosën në incidentin në Oye-Plage në brigjet veriore të Francës, thanë dje autoritetet. Pas përplasjes 38 emigrantë u ndaluan, shumica e të cilëve trafikantë që organizonin kalimin me gomone drejt Britanisë.
Oficerët ishin duke patrulluar terrenin e plazhit me një mjet fuoristradë kur emigrantët nisën sulmin me gurë ndaj tyre.
Ata kishin vazhduar sulmin e tyre derisa erdhën përforcime dhe kolegët e tyre arritën t’i nxirrnin nga automjeti.
Londra vazhdimisht ka akuzuar Francën se nuk po bën mjaftueshëm për ndalimin e fluksit të të ardhurve me gomone sipas marrëveshjes së pagesave të sigurisë për Parisin, ndërsa francezët thonë se po mundohen t’i ndalojnë ata të nisen nga toka e tyre.
Gjithsesi vërshimi i emigrantëve drejt Anglisë vijon me ritme rekord, ashtu si thuajse në të gjitha vendet e Evropës.
Kjo megjithë incidentet e humbjes së jetës si ai i nëntorit 2021, kur 27 emigrantë vdiqën nga përmbysja e barkës së tyre në kanalin mes vendeve.
Dje në Francë pesë anëtarë të ushtrisë u shpallën fajtorë për dështimin në dhënien e ndihmës në rastin tragjik të 2 viteve më parë.
Anijet e ushtrisë nuk kishin shkuar në ndihmë të tyre ndonëse 15 telefonata emergjence ishin bërë nga barka e emigrantëve drejt Francës.
Shumica e viktimave ishin kurdë irakenë nga shtatë deri në 46 vjeç. Vetëm dy njerëz mbijetuan nga katastrofa, në të cilën u shuan gjithashtu shtatë të mitur.