Së fundmi, këngëtarja e njohur Ronela Hajati e cila së shpejti pritet të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në Eurovision me këngën “Sekret” ka postuar një shkrim në Instastory-n e Instagramit të saj teksa ka treguar se ndodhet në një gjendje të trazuar emocionale. Ndërkaq ajo ka shkruar se:
Gjithë jetën kam qeshur dhe isha optimiste edhe në ditë të vështira. Por tani jam në periudhën më të keqe të jetës dhe nuk e keni idenë sa po vuaj, ndërkohë që askujt nuk i intereson për mua. Ndihem e vetme në gjithë këtë. Asnjëherë nuk ke nga ta dish çfarë po kalon një njeri.

Këngëtarja nuk zbuloi më shumë detaje se çfarë i ka ndodhur që ka arritur të postojë këtë shkrim. Rikujtojmë se së fundmi bukuroshja ka ndarë lajmin se është renditur si artistja e parë që do të përformojë në natën e parë të festivalit europian. Këtë vit festivali më i madh muzikor evropian do të zhvillohet më 10, 12 dhe 14 maj në Pala Olimpico në Torino, Itali. Ronela ndërkaq ka bërë me dije se do të ripërpunojë këngën “Sekret” dhe për këtë do të bashkëpunonte me tre producentë të huaj.
Pasi arriti të rrëmbente çmimin e parë të spektaklit menjëherë pati komente të ndryshme në lidhje me fitoren e saj. Si njerëz të thjeshtë, ashtu edhe disa artistë u shprehën kundër fitores. Madje artisti Robert Aliaj, në një intervistë të dhënë është shprehur totalisht kundra kësaj këngë duke e cilësuar si tallava dhe madje vetë kompeticionin si një festival propagandistik. Pavarësisht të gjitha komenteve si pozitive ashtu edhe negative, Ronela tanimë do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese!