Agjencia Europiane e Policisë [EUROPOL] bëri të ditur se ka ofruar ndihmë në një hetim të kryer nga gjermanët, lidhur me një grup mercenarësh, të angazhuar nga një rrjet kriminal, me qëllim rrëmbimin e kreut të një bande rivale shqiptare për trafik droge.
Kreu i kësaj bande shqiptare, emri i të cilit nuk është bërë i ditur dyshohet se e ka orkestruar vjedhjen e disa tonëve të kanabisit, në vlerë miliona euro. Aksioni i koordinuar është fokusuar në shtetas të Letonisë, disa prej të cilëve ishin me prapavijë në Legjionin e Huaj Francez.
EUROPOL-i raportoi se në operacion janë përfshirë autoritetet e zbatimit të ligjit në Danimarkë, Francë, Letoni e Mbretëri e Bashkuar.
Këta individë shumë të trajnuar ishin të pajisur me mjete profesionale dhe kanë qenë aktivë në emër të grupit të krimit të organizuar.
Në ditën e operacionit policor u arrestuan katër individë në Danimarkë, Francë, Letoni e Mbretëri të Bashkuar, ndërsa dy të tjerë, të arrestuar në tetor 2014 në Gjermani, tashmë janë dënuar nga gjykatat.
Mercenarë me pagesë
EUROPOL-i njoftoi se ky operacion është i lidhur me fenomenin e ashtuquajtur “Dhuna si shërbim”, që do të thotë se ekzekutorët e krimit ofrohen për t’i kryer aktet e dhunshme në emër të rrjeteve të tjera kriminale.
Për organizatën europiane, ky është një trend shqetësues, njëherazi rezultat i luftës në Ukrainë.
Ukrainasit e trajnuar nga forcat amerikane, legjionarët dhe mercenarët rusë, të gjithë ish-ushtarë të zonave të luftës, po kthehen nga fronti dhe po i shfrytëzojnë aftësitë e tyre për krim të organizuar. Teksa lufta në Ukrainë vazhdon dhe potencialisht intensifikohet, Europa mund të përballet me numër në rritje të këtyre individëve të përfshirë në aktivitete kriminale.
EUROPOL-i ka bërë thirrje që të vëzhgohen këto veprimtari dhe të bëhen përgatitje për sfidat që mund t’i sjellin. Lufta në Ukrainë ka nisur e vijon që nga 24 shkurti i vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftimeve kanë vdekur me mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.