Kandidati nacionalist opozitar, Karol Nawrocki, fitoi balotazhin presidencial në Poloni me 50.89% të votave, sipas komisionit të zgjedhjeve, duke i dhënë një goditje axhendës reformuese të qeverisë pro-europiane polake. Rivali i tij, Rafal Trzaskowski, kryebashkiak liberal i Varshavës dhe aleat i qeverisë së udhëhequr nga Donald Tusk, mori 49.11. U njoftua se konservatori Nawrocki fitoi balotazhin pas numërimit të më shumë se 99% të votave nga komisioni zgjedhor.
Nawrocki siguroi më pak se 51% të votave, raportuan mediat në Poloni. Kundërshtari i tij, kandidati liberal Rafal Trzaskowski, arriti pak më shumë se 49% të mbështetjes. Të gjitha sondazhet e opinionit publik në prag të votimit të një dite më parë treguan për një hendek shumë të vogël mes kandidatëve që nga raundi i parë i votimit, më 18 maj.
Në Poloni, presidenti mban një mandat 5-vjeçar dhe ka kompetenca të gjera, duke përfshirë përfaqësimin e shtetit jashtë vendit, formësimin e politikës së jashtme, emërimin e kryeministrit e të kabinetit, si dhe detyrën si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura në rast lufte.
Reagoi Brukseli zyrtar. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, sot uroi fituesin e zgjedhjeve presidenciale të Polonisë, Karol Nawrocki pasi mundi rivalin e tij më pro-europian, Rafal Trzaskowski.
Jam e bindur se Bashkimi Europian do të vazhdojë bashkëpunimin e saj shumë të mirë me Poloninë, shkroi zyrtarja e lartë, Von der Leyen në X. Ne jemi të gjithë më të fortë së bashku në komunitetin tonë të paqes, demokracisë dhe vlerave. Prandaj, le të punojmë për të siguruar sigurinë dhe prosperitetin e shtëpisë sonë të përbashkët.