Aktualitet

Fitoi zgjedhjet në Poloni/ Presidenti Begaj uron Karol Nawrocki: Presim thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi Presidentin e sapozgjedhur të Polonisë, Karol Nawrocki, përmes një postimi në rrjetin social X, me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale.

“Urime Karol Nawrocki, për fitoren në zgjedhjet presidenciale. Shqipëria vlerëson miqësinë historike mes vendeve tona dhe mbështetjen e fortë të Polonisë për rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Presim me padurim thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dhe hapjen e të gjitha klasterëve gjatë Presidencës Polake të Këshillit të BE-së“, shkroi Begaj.

Kandidati nacionalist opozitar, Karol Nawrocki, ka fituar rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Poloni me 50.89 për qind të votave, sipas komisionit të zgjedhjeve, duke i dhënë një goditje agjendës reformuese të qeverisë proevropiane të Polonisë.

Rivali i tij, Rafal Trzaskowski, kryetar liberal i Varshavës dhe aleat i qeverisë së udhëhequr nga Donald Tusk, mori 49.11 për qind të votave, raporton Reuters.

Një ‘exit poll’, të dielën, e kishte paraparë Trzaskowskin fitues.

Nawrocki, 42-vjeçar, historian euroskeptik, i cili kishte udhëhequr një institut përkujtimor, ka bërë fushatë duke premtuar se do të siguronte që politikat ekonomike dhe sociale do të favorizonin polakët karshi nacionaliteteve të tjera, përfshirë refugjatët nga Ukraina fqinje.

Boksieri amator fitoi pavarësisht se e kaluara e tij dominoi ditët e fundit të fushatës presidenciale – nga pyetjet për blerjen e një banese nga një pensionist, deri te pranimi se ai kishte marrë pjesë në përleshje të orkestruara.

Përderisa Parlamenti i Polonisë ka më së shumti pushtet, presidenti mund t’i vërë veton ligjeve, ndërsa votimi u përcoll me interesim në Ukrainë, si dhe në Rusi, në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian.

Nawrocki, i mbështetur nga partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), pritet të vazhdojë politikat e paraardhësit të tij, presidentit Andrzej Duda, po ashtu aleat i partisë më të madhe opozitare, përfshirë bllokimin e çfarëdo përpjekjeje nga qeveria për të lejuar abortin apo për reformimin e gjyqësorit.

Në mediat sociale, Duda falënderoi polakët për pjesëmarrje të madhe në zgjedhje. Dalja në votime ishte 71.31 për qind, tha komisioni i zgjedhjeve, që përbën rekord për balotazhin presidencial.

“Ju faleminderit! Që morët pjesë në zgjedhjet presidenciale. Që dolët. Që kryet obligimin tuaj qytetar. Që morët përgjegjësinë për Poloninë. Urime fituesit! Qëndro e fortë, Poloni!”, shkroi Duda në rrjetin social X./REL