Artistët që do të marrin pjesë në ‘Eurovision 2025’, do të lejohen të sjellin vetëm flamurin zyrtar të shtetit të tyre në ngjarjet zyrtare të Eurovisionit, duke përjashtuar kështu flamujt që përfaqësojnë komunitetin LGBTQ+, përfshirë edhe flamurin e krenarisë. Sipas udhëzimeve të reja për politikën e flamujve, pjesëmarrësit e këtij viti dhe delegacionet e tyre mund të sjellin në hapësirat zyrtare të Eurovisionit vetëm flamurin kombëtar të shtetit që përfaqësojnë.
Kjo përfshin edhe Ceremoninë Hapëse të Eurovisionit, skenën e Eurovision Village, Green Room-in dhe vetë skenën kryesore të Eurovisionit. Kjo do të thotë se artistët e komunitetit LGBTQ+ që garojnë këtë vit, përfshirë disa prej favoritëve si Miriana Conte nga Malta, JJ nga Austria dhe Erika Vikman nga Finlanda nuk do të mund të shfaqin flamuj të komunitetit gjatë performancave të tyre. Vitin e kaluar, fituesi nga Zvicra, Nemo, i cili identifikohet si person jo-binar (i papërcaktuar në gjini), zbuloi se ishte ndaluar nga organizatorët të merrte në skenë flamurin jo-binar. Si rezultat, ai tha se e kishte futur fshehurazi flamurin për të mundësuar prezantimin e tij në paradën e flamujve.
Organizatorët kanë paralajmëruar se do të ketë “pasoja” për ata që nuk i respektojnë rregullat e reja, por kur u pyetën nga DR për detaje shtesë, Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU) nuk dha sqarime të mëtejshme. Ndërsa rregullat për artistët janë ashpërsuar këtë vit, ato janë zbutur për fansat që do të marrin pjesë në ngjarjet zyrtare të Eurovisionit, përfshirë gjysmëfinalet dhe finalen që do të mbahet në arenën “St. Jakobshalle” në Bazel të Zvicrës. Fansat do të lejohen të marrin me vete “çdo flamur apo pankartë”, për sa kohë që ato nuk përbëjnë rrezik për sigurinë apo procesin e prodhimit të spektaklit, dhe janë në përputhje me ligjet zvicerane.