Showbiz

Eurovision 2025 ndryshon mënyrën e shpalljes së finalistëve, rritet suspensa në skenë

Një ndryshim i madh pritet të ndodhë në Eurovision Song Contest 2025. Organizatorët kanë njoftuar se mënyra tradicionale e shpalljes së vendeve që kalojnë në finale do të ndryshojë, duke sjellë më shumë emocion dhe tension në spektakël.

Sipas dokumentarit të transmetuesit zviceran SRF, “Der Weg zum ESC 2025”, këtë vit finalistët nuk do të shpallen një nga një. Në vend të kësaj, në ekran do të paraqiten tre shtete në të njëjtën kohë, por vetëm një prej tyre do të kualifikohet për në finale. Kjo formulë e re pritet të zëvendësojë sistemin aktual dhe do të testohet për herë të parë gjatë provës gjenerale të gjysmëfinales së parë, më 12 maj.

Producentët Reto Peritz dhe Moritz Stadler kishin paralajmëruar se edicioni i këtij viti do të sillte risi dhe më shumë spektakël për publikun. Ky ndryshim është pjesë e përpjekjeve për ta bërë konkursin më dinamik dhe për të rritur ndjesinë e pasigurisë mes konkurrentëve dhe shikuesve.

Kjo nuk është hera e parë që Eurovision eksperimenton me formatin e shpalljes së rezultateve. Në vitin 2023, gjatë provave në Liverpool, u testua një model i ngjashëm, ku të gjithë artistët u mblodhën në skenë për të pritur rezultatet.

Për momentin, mbetet e paqartë nëse kjo mënyrë e re do të përdoret edhe gjatë transmetimit zyrtar live, por interesimi dhe pritshmëritë janë të larta nga fansat e këtij eventi muzikor ndërkombëtar.