Bota

Evakuim masiv në qytetin gjerman, pritet çaktivizimi i tre bombave të Luftës së Dytë Botërore!

Qyteti gjerman i Këlnit po evakuon rreth 20,500 banorë nga një zonë e madhe në qendër të qytetit, për t’i hapur rrugë çaktivizimit të tre bombave të pashpërthyera që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore, raporton BBC.

Bombat amerikane u zbuluan të hënën në një kantier detar në lagjen Deutz. Autoritetet kanë rrethuar një zonë me një rreze prej 1,000 metrash, të cilën e kanë përshkruar si “operacionin më të madh që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”.

Të gjithë banorët, bizneset, shkollat, hotelet dhe madje edhe një spital i madh dhe një stacion kryesor treni janë urdhëruar të evakuohen.

“Nëse refuzoni, do t’ju nxjerrim nga banesa me forcë, në bashkëpunim me policinë,” paralajmëruan autoritetet.

Banorët janë njoftuar se, nëse nuk largohen pas fillimit të evakuimit, mund të përballen me gjoba të rënda. Disa pacientë të kujdesit intensiv janë transportuar me ambulanca nga Spitali Eduardus.

Shërbimi kombëtar për çaktivizimin e bombave planifikon t’i çaktivizojë bombat, që peshojnë 10 dhe 20 tonë, ditën e mërkurë, por ky proces nuk do të mund të nisë pa përfunduar evakuimi i plotë i zonës, bënë të ditur autoritetet.

Evakuimi ka nisur në lagjet Altstadt (Qyteti i Vjetër) dhe Deutz, ku punonjësit e emergjencës po trokasin derë më derë për të kërkuar largimin e banorëve. Dyqanet, restorantet dhe bizneset janë urdhëruar të ndalojnë aktivitetin gjatë ditës.