Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, uroi besimtarët për Festën e Kurban Bajramit, duke bërë thirrje për më shumë mirësi mes tyre. Në urimin tradicional në prag të Bajramit të Vogël, Tërnava tha se kjo festë është përkujtim i sakrificës të profetit Ibrahim, “i cili ishte i gatshëm të flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të madhërishëm, duke na mësuar se besimi i vërtetë nuk njeh kufi e as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin e lartë pikërisht në dorëzimin ndaj vullnetit hyjnor të Zotit”.
Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë e bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron në frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë.
Myftiu Tërnava vuri në dukje se Kurban Bajrami është festë fetare, por përcjell edhe mesazhe të thella shoqërore e atdhetare.
Festa e Bajramit nuk kufizohet vetëm me adhurim, por po ashtu kontribuon në forcimin e vlerave që ndërtojnë shoqërinë dhe forcojnë atdheun, u shpreh kleriku mysliman.
Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me therjen e kubanit dhe kryerjen e haxhillëkut.
Sot, kur miliona besimtarë janë në tokën e shenjtë të Mekës dhe ku do ta kalojnë këtë ditë në rrafshnaltën e Arafatit dhe në mesin e tyre gjenden edhe haxhilerët nga Kosova, të cilët janë duke e përjetuar haxhillëkun, udhëtimin e jetës, me lutjet e tyre drejtuar krijuesit për falje gabimesh, shëndet dhe mirëqenie për familjet e tyre, për popullin tonë dhe siguri për vatanin tonë, tha Tërnava.
Haxhi nisi më 4 qershor, një ditë më parë dhe besimtarët myslimanë do të kryejnë rite fetare në Mekë deri më 8 qershor. Këtë vit, më shumë se 1.5 milion pelegrinë po marrin pjesë në ritualin më të rëndësishëm të Islamit.