Fermerët që shesin prodhimet e tyre bujqësore tek grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmet e certifikuara duhet të nisin grumbullimin e autofaturave, në mënyrë që të përfitojnë kompensimin 10% nga skema e re e TVSH-së.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” i miratuar nga Parlamenti përcakton se kompensimi i TVSh-së 10% të fermerëve do të bëhet mbi vlerën e faturave të lëshuara nga blerësi i produkteve të tyre bujqësore. Për fermerët e pajisur me NIPT tatimor, pra që nuk janë subjekte të regjistruara në QKB, ligji parashikon se fatura e shitjes apo autofatura lëshohet prej blerësve të mallrave bujqësore.
Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga viti 2018 deri në shtator 2025 janë të pajisur me NIPT tatimor 110 mijë fermerë.
Kjo autofaturë e lëshuar për fermerin nga përpunuesi, grumbulluesi apo një agroturizëm i certifikuar do të shërbejë si bazë për llogaritjen e kompensimit, i cili përfaqëson 10% të vlerës së saj dhe synon të mbulojë pjesërisht TVSH-në që fermerët kanë paguar për inputet bujqësore, si plehra kimike, fara dhe fidanë.
Nëse një fermer i pajisur me NIPT do të shesë produkte bujqësore, me vlerë 1,000 euro dhe për këtë shitje grumbulluesi apo përpunuesi do të lëshojë autofaturën përkatëse, atëherë fermeri do të përfitojë një kompensim prej 10%, pra 100 euro. Kërkesa për kompensim do të bëhet dy herë në vit, për periudhat janar–qershor dhe korrik–dhjetor.
Gjatë një takimi në Elbasan me fermerë, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri thirrje për grumbullimin e autofaturave, me qëllim përfitimin e kompensimit.
Fermerët që shesin prodhimet e tyre bujqësore tek grumbulluesit, përpunuesit ose agroturizëm do të kompensohen në masën 10% të vlerës së faturës. Kjo faturë do të lëshohet nga blerësi i produkteve të tyre. Ju i grumbulloni këto fatura, i dorëzoni në tatime çdo 6 muaj dhe shteti ju kthen 10% të vlerës së faturave direkt në llogarinë tuaj bankare.
Më herët, nga Tatimet u sqarua se parashikohet që fermerët vitin e ardhshëm të dorëzojnë kërkesën përmes platformës e-Albania dhe të konfirmojnë online çdo autofaturë të lëshuar në emrin e tyre. Pas verifikimit, shuma e kompensimit do të derdhet direkt në llogarinë bankare të fermerit brenda 30 ditëve.
Përfitues të skemës janë fermerët jo subjekt i TVSH-së dhe që nuk ngarkojnë TVSH-në në shitjen e produkteve të tyre, por që njëkohësisht nuk kanë të drejtë të rimbursojnë TVSH-në e paguar për blerjet.
Skema synon kompensimin 10% të TVSH-së së paguar për inputet bujqësore, që nuk do të llogaritet direkt mbi blerjet e fermerit për plehra kimike, fidanë apo fara, por mbi vlerën e autofaturave të lëshuara nga grumbulluesi për produktet bujqësore që fermeri do të shesë te ta. Sipas ligjit të TVSH-së, fermerët e pajisur me NIPT nuk lëshojnë fatura shitjeje nëse shesin produktet e tyre bujqësore te persona të tatueshëm. Janë këta të fundit që lëshojnë autofaturën për fermerin. /Monitor