Ferrari ka marrë sinjale pozitive nga tregu pas prezantimit të modelit të saj të parë plotësisht elektrik, Ferrari “Luce”. Në Kinë, të gjitha 88 njësitë e destinuara për këtë treg janë rezervuar, pavarësisht debatit të madh që shoqëroi prezantimin e automjetit. Modeli, i cili konsiderohet një nga projektet më të diskutueshme në historinë e markës italiane, ishte vënë në qendër të kritikave për dizajnin dhe kalimin e Ferrari-t drejt teknologjisë elektrike. Megjithatë, interesi i blerësve kinezë ka rezultuar më i madh se sa pritej, edhe pse çmimi i automjetit arrin në rreth 514 mijë euro.

Vetëm nga rezervimi i të gjitha makinave në Kinë, prodhuesi nga Maranello do të përfitojë mbi 45.2 milionë euro. “Luce” është makina e parë elektrike e prodhuar nga Ferrari dhe përfaqëson një kthesë të rëndësishme në strategjinë e kompanisë.
Projekti është zhvilluar me kontributin e disa emrave të njohur edhe jashtë industrisë së automobilave, mes tyre edhe dizajneri Jony Ive, i njohur për rolin e tij në krijimin e produkteve ikonike të Apple, duke përfshirë iPhone-in e parë. Pas suksesit në Kinë, mbetet për t’u parë reagimi i tregjeve europiane dhe atij amerikan, të cilët konsiderohen dy destinacionet më të rëndësishme për shitjet e Ferrari-t.