Bota

Fjalimi i Trump-it për Iranin, analistët shohin mesazhe dhe rreziqe!

Analistët i thanë Radios Evropa e Lirë se fjalimi më i fundit i Trump-it kishte për qëllim të formësonte perceptimin publik, dhe se linte paqartësi për hapat e ardhshëm.

Jason Brodsky, drejtor i politikave në organizatën jofitimprurëse, United Against Nuclear Iran, tha se fjalimi synonte të “mobilizonte mbështetjen publike rreth Operacionit Tërbimi Epik”.

Ai do të paraqitet jo si SHBA-të që po nisin një tjetër luftë të pafundme, por si përfundim i një lufte që regjimi iranian e filloi në vitin 1979.

Por, paralajmëroi se edhe nëse Shtetet e Bashkuara shpallin armëpushim brenda dy deri në tri javësh, ekziston rreziku që iranianët të vazhdojnë sulmet pasi imperativi i tyre është rindërtimi i parandalimit.

Për të ndryshuar atë llogaritje, SHBA-të mund të duhet të përshkallëzojnë.

Matthew Bartlett, strateg republikan dhe ish i emëruar në Departamentin e Shtetit gjatë administratës së parë të Trump-it, tha se fjalimi ishte i drejtuar ndaj audiencave të shumta.

Komunikimi është kritik në një luftë me audienca këtu në frontin e brendshëm, si dhe me regjimin në Iran, me popullin e madh të Iranit dhe me aleatët tanë në rajon, në Evropë e më gjerë, i tha Bartlett Radios Evropa e Lirë.

Ai shtoi se megjithëse fjalimi ishte i nevojshëm, “ende ka shumë pyetje pa përgjigje për të nesërmen dhe për ditët e muajt në vijim” dhe se “ndërsa kjo mund të zbehet, mundësia për përshkallëzim mbetet”.

Bartlett shtoi se Trump duket se po përpiqet të theksojë arritjet ushtarake ndërsa gjithashtu vendos kushtet për një fazë të mundshme diplomatike, duke përfshirë adresimin e ndërprerjeve ekonomike si mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit.

Gregory Brew, analist i lartë në Eurasia Group, i tha Radios Evropa e Lirë para fjalimit se Trump kishte të ngjarë të theksonte si suksesin, ashtu edhe nevojën për operacione të vazhdueshme.

Më herët, Trump tha se nuk ishte i shqetësuar për rezervat e Iranit me uranium të pasuruar shumë, duke argumentuar se ato janë të varrosura nën tokë e mund të monitorohen.

Megjithatë, ekspertët thonë se nëse Irani ruan kontrollin e rreth 440 kilogramëve uranium të pasuruar shumë, ai mund të jetë më afër prodhimit të armëve bërthamore se në një marrëveshje të negociuar më parë.