Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara janë afër “përfundimit të punës” në Iran, por ka paralajmëruar se ushtria amerikane do të vazhdojë ta godasë vendin e Lindjes së Mesme “jashtëzakonisht fuqishëm” edhe për “dy deri në tre javë” të tjera.
Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit nga nisja e luftës, Trump u shpreh se SHBA-të janë afër “arritjes së synimeve” pas “fitoreve të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese në fushëbetejë; fitore që pak njerëz i kanë parë ndonjëherë”.
Trump përshkroi ato që tha se ishin fitore të mëdha në fushëbetejë, duke pretenduar se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dobësuar rëndë.
Marina e Iranit nuk ekziston më. Forcat e tyre ajrore janë në rrënoja. Figura të udhëheqjes iraniane “janë të vdekura” dhe strukturat e komandës po shkatërrohen teksa ne po flasim.
Ai shtoi se kapacitetet raketore dhe të dronëve të Iranit janë “kufizuar drastikisht” dhe se infrastruktura e armëve po shkatërrohet.
Kurrë në historinë e luftës një armik nuk ka pësuar humbje kaq të qarta dhe shkatërruese në shkallë të gjerë brenda disa javësh, pretendoi Trump.
Trump mbrojti luftën si të nevojshme për ta parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Ky regjim vrastar së fundmi ka vrarë 45.000 njerëz të tij, tha ai, duke iu referuar shtypjes së protestave brenda Iranit. Do të ishte kërcënim i papranueshëm nëse këta terroristë do të kishin armë bërthamore.
Ai e përsëriti pretendimin se Irani ishte “në prag” të sigurimit të një arme bërthamore dhe shtoi se programi i tij raketor mund të jetë kërcënim për Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe rajone të tjera.
Kjo gjendje ka vazhduar për 47 vjet dhe duhej të ishte trajtuar shumë kohë përpara se unë ta merrja detyrën, u shpreh Trump duke kritikuar sërish administratat e mëparshme, përfshirë marrëveshjen bërthamore të negociuar nën presidentin Barack Obama.
Trump shtoi:
Parapëlqimi im i parë ka qenë gjithmonë rruga diplomatike, por Irani kishte refuzuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje.
Trump tha se ndryshimi i regjimit nuk ishte qëllimi i tyre, por la të kuptohej se një gjë e tillë ka ndodhur.
Udhëheqësit e tyre… tani janë të vdekur.