Lifestyle Love & Sex

Flutura në stomak? Eshtë kimia e emocioneve, jo thjesht një figurë e të shprehurit!

Mund të shkaktohen nga emocionet e thella që lindin që në fazat e hershme të rënies në dashuri, por edhe nga ndjenja të tjera intensive, më pak të këndshme, të tilla si frika ose konfuzioni, fluturat në stomak janë ajo ndjesi dridhjeje ose shpimi gjilpërash që ndiejmë kur jemi gati të takojmë të dashurin tonë. Ose kur presim një provim, apo në një situatë tjetër që na emocionon ose na shqetëson.

Nuk është thjesht një figurë e të folurit: janë hormonet që vihen në lëvizje dhe veprojnë në sistemin tonë tretës, i cili konfirmohet si truri ynë i dytë.

Shprehja vjen nga anglishtja “to have butterflies in one’s stomach” (të kesh flutura në stomak) dhe përshkruan ndjesinë kurioze të shpimit kur i nënshtrohemi një emocioni intensiv. Kur shoqërohen me euforinë e të rënit në dashuri, vijnë me një ndjenjë eksitimi të gëzueshëm dhe pritjeje të situatave të këndshme, por ato mund të ndodhin në çdo kohë të ngarkesës intensive emocionale, madje edhe atyre negative.

Fenomeni është studiuar që nga fillimi i shekullit të njëzetë, kur u kryen studimet e para mbi sistemin nervor autonom, domethënë mekanizmat që rregullojnë disa funksione spontane të trupit, duke përfshirë tretjen, frymëmarrjen dhe qarkullimin e gjakut.

Një nga pionierët në këtë fushë ishte fiziologu britanik John Newport Langley, i pari i cili studioi mekanizmat neurologjikë që rregullojnë funksionimin e disa organeve të brendshme, të tilla si zemra, stomaku dhe zorrët.

Ishte pikërisht nga këto studime fillestare që mësuam se sistemi ynë i zorrëve vepron si një tru i dytë: trakti i zorrëve sillet në mënyrë të pavarur nga sistemi nervor qendror dhe mendohet të jetë vendi i reaksioneve instiktive, të shkaktuara nga sistemi nervor simpatik dhe të lidhura me përgjigjen “lufto ose ik”, tipike e reaksioneve të menjëhershme në prani të rrezikut të mundshëm.

Kur përjetojmë një emocion intensiv, siç është frika, truri ynë i dytë çliron adrenalinë dhe substanca të tjera që e ndihmojnë trupin të reagojë në mënyrë efektive: zemra rreh më shpejt për të dërguar më shumë gjak dhe oksigjen në inde e për të mundësuar luftën ose ikjen, duke shkaktuar atë ndjesi boshllëku dhe shpimi gjilpërash të ngjashme me rrahjen e krahëve të fluturave.

Në mënyrë të ngjashme, kur jemi në prani të një të dashuri ose presim takimin me të, trupi sekreton hormone të tjera, të tilla si oksitocina, dopamina dhe feniletilamina, të cilat na bëjnë të ndiejmë zemrën tonë të rrahë fort në gjoks, ndërsa stomaku ynë shtrëngohet, uria zhduket dhe euforia rritet.

Pastaj shfaqen “fluturat” magjike: megjithatë, ato do të shoqërojnë vetëm një fazë të rënies në dashuri sepse stimulimi kimik i këtyre neurotransmetuesve ka një kohëzgjatje të kufizuar, duke pasur parasysh se gjatë rrjedhës së një marrëdhënieje, ndodhin ndryshime në emocionet dhe ndjesitë që ajo provokon: neurotransmetuesit dhe stimulimet e tyre kimike në trup ndryshojnë gjithashtu në përputhje me rrethanat.