Të dhënat ende provizore tregojnë se tre prej partive të reja, që hyjnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme, kanë shanse për të marrë të paktën secila një mandat në Qarkun e Tiranës. Partia Mundësia drejtohet nga ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe biznesmeni, Agron Shehaj e deri tani duket të ketë siguruar dy mandate.
Në programin elektoral, premtonte vendosjen e Taksës së Sheshtë në nivelin 8% dhe argumentonte se ulja e taksave nxit investimet, rritjen ekonomike e krijon vende pune, duke bërë që shqiptarët të pasurohen nga puna e tyre e ndershme, jo nga lidhjet politike.
Pas kësaj uljeje, Partia Mundësia premtoi “ngrirjen” e politikave fiskale për 10 vite. Duke ngrirë politikat fiskale për një dekadë, zotohej të siguronte klimë të qëndrueshme për investimet e brendshme e të huaja, duke eliminuar pasiguritë që sot pengojnë sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik.
Partia Mundësia vlerëson se administrata shqiptare sot është e fryrë, joefikase dhe shpeshherë abuzive me fondet publike. Nëpërmjet reduktimit të burokracisë, eliminimit të punësimeve fiktive dhe kontrollit të rreptë mbi shpenzimet, mund të kursehen të paktën 1 miliard euro në vit.
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet drejtohet nga avokati Adriatik Lapaj dhe gjithashtu ka një program të spektrit të djathtë. Propozon taksim të sheshtë në masën 10%.
Lidhur me TVSH-në, propozon një skemë të rimbursimit për qytetarët. Sipas programit, TVSH do të paguajnë të gjithë, për të gjitha produktet, por deri në 10% të saj, shteti do t’ua kthejë qytetarëve në fund të vitit. Programi gjithashtu parashikonte heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant dhe heqja 5 lekë për litër nga tarifat e tjera në fuqi.
Lëvizja Bashkë është një parti e spektrit politik të majtë, e drejtuar nga pedagogu Arlind Qori.
Në programin e saj, Lëvizja Bashkë vendos si objektiv rritjen e taksave dhe të ardhurave të buxhetit në nivelin 33% të PBB-së brenda katër viteve, nisur nga rreth 28% që është sot, me qëllim për të përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme cilësinë e shërbimeve publike bazë si shëndetësia e arsimi, mbrojtja sociale, rritjen e solidaritetit dhe kohezionit social (pensionet e ndihmën ekonomike të shtresave në nevojë), për të mbështetur gjithashtu një rritje ekonomike më të lartë, bujqësia e industria përpunuese, investimet në teknologji të reja, etj.
Lëvizja Bashkë mbështet parimin e tatimit progresiv të të ardhurave personale, me më shumë fasha dhe nivel më të lartë përshkallëzimi, në raport me skemën aktuale.
Krahas deklarimit mujor të të ardhurave personale nga punësimi, Lëvizja Bashkë angazhohej për një deklarim vjetor të të ardhurave personale në tërësi, e cila do të mbështetet në njësinë familjare të deklaruesit kryesor në njërën anë, si dhe të marrë në konsideratë nivelin e minimumit jetik të familjes në anën tjetër. Kombinimi i të ardhurave vjetore/familjare dhe minimumit jetik do të shërbejë për të bërë korrigjimet përkatëse të nivelit të tatimit.
Lëvizja Bashkë premtonte rikthimin e tatimit mbi dividendin në masën 15% dhe gjithashtu vendosjen e një skeme të diferencuar të tatimit të fitimit. Për investimet që rrisin ndjeshëm kapacitetin teknologjik, produktivitetin e punës dhe ngjisin ekonominë vendase në zinxhirin global të vlerës do të aplikohej një normë tatimfitimi prej 3% (sot është 5%).
Për investimet e tjera do të aplikohen tri shkallë tatimore, përkatësisht 10, 15 e 20%. Aplikimi i këtyre shkallëve do të mbështetet në shkallën e fitimit të tatueshëm dhe llojin e sektorit./Monitor