Sport

FOTO/ Harta e Kosovës me flamurin serb, parrullat ‘pushtojnë’ Nishin e Leskovacin!

Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për grupin K të kualifikueseve të Botërorit, do të luhet sot në orën 20:45 në Leskovac.

Ashtu siç ishte parashikuar, nuk kanë munguar provokimet në prag të sfidës. Rasti më i fundit është shënuar në qytetin e Nishit, aty ku është akomoduar ekipi përfaqësues dhe delegacioni kuqezi.

Në disa zona të qytetit janë vendosur parrulla të vogla, ku shihet harta e Kosovës me flamurin serb, një veprim i konsideruar provokues në këtë kontekst të ndjeshëm.

Atmosfera në stadiumin e Leskovacit ku në orën 20:45 do luhet ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë është e qetë, me tifozët vendas që ende nuk kanë nisur të futen në impiant. Siguria do jetë e madhe, me pesë mijë policë të angazhuar, për afro 6500 tifozë që do jenë në stadium.

Në këtë duel nuk ka pasur bileta në shitje dhe tifozët serbë janë të përzgjedhur nga të rinjtë e akademivë apo shoqatave që merren me futboll, prindërit e tyre dhe të ftuar të ndryshëm. Në stadium do ketë edhe afro 100 shqiptarë, staf i Federatës Shqiptare të Futbollit, drejtues klubesh nga Shqipëria dhe gazetarë që ndodhen me detyra pune.

Në bazë të një marrëveshje mes federatave respektive, në duelet mes Shqipërisë dhe Serbisë ose anasjelltas, nuk do ketë tifozë kundërshtarë.

Federata Serbe e Futbollit ka rikthyer flamurin shqiptar në stadiumin  e Leskovacit, ku do të luhet sfida e shumëpritur mes Serbisë dhe Kombëtares Shqiptare.

Në një reagim të mëparshëm, Federata Serbe bëri me dije se e kishte hequr flamurin shqiptar për çështje sigurie.

Sipas tyre, flamuri shqiptar është hequr për të shmangur incidentet e mundshme.