Bota Sociale

Franca ndalon pirjen e duhanit në më shumë ambiente publike nga 1 korriku?

Qeveria franceze ka njoftuar një masë të re për të zgjeruar ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente publike, duke nisur nga data 1 korrik. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Punës, Catherine Vautrin, në një intervistë për gazetën rajonale Ouest-France”, ku theksoi se qëllimi kryesor i këtij vendimi është mbrojtja e fëmijëve.

Atje ku ka fëmijë, pirja e duhanit duhet të zhduket

-u shpreh Vautrin, duke nënvizuar dëmet e mëdha që pirja e duhanit shkakton për shëndetin publik.

Sipas saj, duhani është përgjegjës për 75,000 vdekje në vit në Francë, çka përbën më shumë se 200 humbje jete në ditë dhe është shkaku kryesor i vdekjes së parandalueshme në vend.

Masat e reja do të përfshijnë ndalimin e pirjes së duhanit në plazhe, parqe, kopshte publike, ambjente përreth shkollave, stacione autobusi dhe objekte sportive në të gjithë Francën.

Qëllimi ynë është të mbrojmë më të ndjeshmit, veçanërisht fëmijët tanë

Ndërkohë, “BFMTV” raporton se Këshilli i Shtetit po përpunon detajet e dekretit, përfshirë përcaktimin e zonave përreth shkollave ku do të aplikohet ndalimi.

Sipas autoriteteve, është e rëndësishme që as prindërit të mos pinë duhan gjatë pritjes së fëmijëve jashtë shkollave, dhe as vetë nxënësit të mos e bëjnë këtë pranë ambienteve shkollore.

Masat e reja nuk përfshijnë cigaret elektronike për momentin, por qeveria ka paralajmëruar se po harton politika të posaçme edhe për to, në kuadër të luftës afatgjatë kundër duhanpirjes.