Sport

Franck Kessie drejt rikthimit në Serie A? Roma dhe Gasperini synojnë mesfushorin nga Bregu i Fildishtë?

Franck Kessie mund të rikthehet në Serie A këtë verë, mes interesimit të fortë nga Roma, ku do të ribashkohej me trajnerin Gian Piero Gasperini, me të cilin ka punuar më parë te Atalanta.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, mesfushori 28-vjeçar është i gatshëm të largohet nga klubi saudit Al-Ahli dhe të pranojë një ulje page për të bërë të mundur transferimin në kryeqytetin italian.

Aktualisht, Kessie përfiton 12 milionë euro në sezon, por është i hapur për të negociuar kushtet për t’u rikthyer në elitën e futbollit italian.

Gasperini e njeh mirë cilësinë dhe profilin e lojës së Kessie dhe do ta shihte si një përforcim kyç për projektin e tij te Roma.

Megjithatë, pengesë për momentin mbetet balancimi financiar nga ana e klubit verdhekuq. Roma duhet të respektojë kufizimet e “Fair Play Financiar”, dhe për të bërë vend për Kessie, do t’i duhet të realizojë disa shitje lojtarësh për të siguruar shumën prej 14 milionë eurosh që kërkon Al-Ahli.

Zhvillime konkrete priten në fillim të korrikut, kur Roma mund të lëvizë më lirshëm në merkato pas ristrukturimeve të nevojshme në skuadër.