Aktualitet

Frikë për përmbytje në Vlorë, autoritetet paralajmërojnë!

Për shkak të reshjeve të shiut që kanë përfshirë vendin, situata mund të jetë problematike në qytetin e Vlorës ndaj autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të mos parkojnë makinat në disa zona me risk të lartë e që disa muaj më parë u përfshinë nga përmbytjet, si rruga Albano dhe Romina, zona te Biblioteka Publike, pranë Kishës Ortodokse, në Skelë dhe te shkolla “Halim Xhelo”.

Gjatë ditës së sotme, e hënë, 23 dhjetor, qyteti i Vlorës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të lartë të cilat do të sjellin prurje të shumta ujërash.

Ju lutemi të tregoheni vigjilentë për çdo situatë dhe të respektoni thirrjet dhe këshillat e autoriteteve.

Bëni kujdes, mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë si:

“Albano&Romina”

Biblioteka Publike

Pranë Kishës Orthodhokse

Në “Skelë” te dykalimshi

Shkolla “Halim Xhelo”

Grupet tona të Ujësjellës Kanalizime dhe Bashkisë së Vlorës,  janë në terren në monitorimin e situatës dhe në ndërhyrje sipas rastit nëse do të jetë e nevojshme.

Nëse hasni problematika nga reshjet e shiut me prezencë të ujit, na kontaktoni:

NUMRAT E TEL: 128, 129

FACEBOOK: Ujësjellës Kanalizime Vlore

INSTAGRAM: uk_rajoni_vlore

FACEBOOK: Bashkia Vlorë

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me mot të vranët e me shira, në pjesën më të madhe të të gjithë territorit. Reshjet fitojnë intensitet mesatar e në periudha afatshkurtra, hera-herës edhe të lartë, kryesisht në zonat e jugut e të verilindjes, në formën e shtrëngatave afatshkurta.

Në lartësitë mbi 600-700 metra ka reshje bore me intensitet të ulët e mesatar ndërsa në Alpe, stuhi bore. Në zonat kodrinore janë me intensitet të ulët në formën e flokëve të borës. Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve.

Era fryn me drejtim juglindje-jugperëndim e me shpejtësi mesatare 8-12 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e në zonat luginore, era fiton shpejtësi 14- 28 m/sek, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 4-6 ballë.