Bota Magazine

Dorëzohet autori i dyshuar për vrasjen e Charlie Kirk, prindërit e bindën pas një kërkimi 30-orësh? Si ndodhi?

Pas më shumë se 30 orësh kërkimi intensiv, Tyler Robinson, i dyshuari për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, u dorëzua paqësisht në zyrën e sherifit lokal në Utah, i shoqëruar nga prindërit dhe një mik i familjes.

Vrasja e Kirkut, e ndodhur gjatë një aktiviteti në Universitetin e Luginës së Utah-ut, tronditi opinionin publik dhe nxiti FBI-në të publikonte fotot e autorit të dyshuar. Ishte nëna e Robinson ajo që njohu të birin në pamjet e shpërndara, madje bashkëshorti i saj dalloi edhe pushkën që ia kishte dhuruar djalit.

Fillimisht, Robinson i shprehu shqetësimet shokut të dhomës se prindërit po dyshonin për të dhe se pushka e tij ishte identifikuar nga federalët.

Në komunikimet me familjen, ai dha shenja se mund të vriste veten. Pas bisedave intensive, ai pranoi të kthehej në shtëpi, ku rrëfeu krimin dhe shprehu frikën se “nuk mund të shkonte në burg”.

Një detektiv në pension, mik i prindërve dhe i sherifit të qarkut, ndërhyri në momentet vendimtare duke ndihmuar që dorëzimi të bëhej paqësisht. Autoritetet pranuan që procedura të zhvillohej pa dhunë dhe në kushte të qeta për të shmangur ndonjë përplasje.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Robinson e justifikoi vrasjen me qëndrimet e Kirkut, duke e akuzuar se “përhapte urrejtje” dhe duke e parë aktivitetin në universitet si “të panevojshëm”.

Një shënim i gjetur në shtëpi e përforcon këtë motiv:

Pata mundësinë ta eliminoja Charlie Kirk dhe do ta pranoj

-shkruante ai.

Prindërit thanë se gjatë vitit të fundit, i biri kishte ndryshuar dukshëm bindjet politike, duke u afruar me të majtën dhe duke mbështetur komunitetin LGBTQ+, në kontrast me bindjet konservatore të babait. Ky konflikt kishte shkaktuar tensione të forta brenda familjes.

Robinson, që u prit nga hetues civilë në zyrën e sherifit dhe u trajtua me kujdes për të shmangur tensionin, u transferua më pas në Qarkun e Utah-ut.

Ai do të përballet me akuzën për vrasje të rëndë, ndërsa prokurorët kanë paralajmëruar se do të kërkojnë dënimin me vdekje.

Sherifi Nate Brooksby u shpreh i tronditur nga ngjarja, duke e cilësuar dorëzimin e Robinson si një nga momentet më të pazakonta të karrierës së tij:

Ishte djali i një familjeje që njihja, një histori që na preku të gjithëve.