Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, sot u nis drejt Romës për t’i kryer nderimet e fundit Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta më 21 prill, në moshën 88-vjeçare. Drejt Italisë po fluturojnë liderë nga e gjithë bota, që t’i bëjnë nderimet e fundit Atit të Shenjtë. Përpara ceremonisë madhështore të ditës së nesërme në sheshin Shën Pjetër, Vatikani është vënë nën masa të rrepta sigurie.
Në mesin e mbi 50 liderëve të shteteve e 10 monarkëve janë presidenti amerikan, Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, si dhe presidenti i Argjentinës Javier Milei e Princi William i Anglisë. Prania e tyre reflekton ndikimin e thellë të Papës së parë nga Amerika Latine gjatë 12 viteve në krye të Kishës Katolike.
Autoritetet kanë vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Vatikan, me snajperë të pozicionuar në çati, avionë luftarakë në gatishmëri dhe përdorimin e dronëve të ndaluar, në një përpjekje për të garantuar sigurinë gjatë kësaj ngjarjeje historike.
Turma të mëdha vazhdojnë të kalojnë përmes Bazilikës së Shën Pjetrit për të parë arkivolin e hapur të Papës, para se të mbyllet mbrëmjen e sotme, gjatë një ceremonie të veçantë të drejtuar nga kardinali Kevin Farrell, përgjegjësi i përkohshëm i Vatikanit deri në zgjedhjen e papës së ri.
Papa Françesku, një figurë e dashur për përkushtimin ndaj të varfërve e të margjinalizuarve, ndërroi jetë më pak se një muaj pasi kishte kaluar javë të tëra në spital për shkak të një pneumonie të rëndë. Dalja e tij e fundit publike ishte gjatë meshës së Pashkës, të dielën e 20 prillit. Françesku u godit nga një hemoragji cerebrale dhe zemra e tij pësoi dëmtime të pakthyeshme.
Pas funeralit, arkivoli do të çohet drejt Bazilikës së Santa Maria Maggiore-s, ku do të prehet në një varr të thjeshtë me mbishkrimin e vetëm: “Françesku”. Vendi do të hapet për vizita nga mëngjesi i së dielës, 27 prill.
Ndërkohë, përgatitjet për zgjedhjen e pasardhësit kanë nisur. Kardinalët e rinj, të gjithë nën moshën 80 vjeç, janë mbledhur në Romë dhe pritet që brenda dy javëve të ardhshme të caktojnë datën për konklavën që do të vendosë Papën e ardhshëm, drejtuesin e rinj të katolikëve në botë.